Sport

Berisha kthehet te Peja, por si trajner i përkohshëm

 

Dardan Berisha u kthye te KB Peja, por jo si lojtar. Ai e udhëhoqi Pejën si trajner në ndeshjen kampionale kundër Rahovecit, në palestrën “Mizahir Isma”, që u zhvillua të dielën. Ky duel, që i takoi xhiros së 23-të të Superligës së Kosovës në basketboll, u mbyll me fitoren bindëse të Rahovecit me shifrat 79:59. Për kapitenin e Pejës, Berishën, kjo ishte ndeshja e parë në karrierë si trajner, por ky post do të jetë i përkohshëm për të. Ai ishte i detyruar ta udhëhiqte Pejën në këtë ndeshje për shkak se si trajneri Dragan Radoviq, ashtu edhe ndihmësi i tij, Petrit Zeqiri, kishin rezultuar pozitivë në testet për koronavirus. Kështu që, nuk përjashtohet mundësia që Berisha edhe në ndeshjet e tjera të jetë trajner i Pejës, derisa të kthehen Radoviqi e Zeqiri. E, Berisha e ka pranuar se një situatë të tillë – që ai të jetë trajneri i Pejës – nuk e ka paramenduar, të paktën jo në këtë edicion.

“Vetëm kapiteni i klubit, në një situatë të tillë kur mungojnë dy trajnerët, ka të drejtën ta udhëheqë lojën. E, kur kësaj i shtohet edhe fakti që nuk kam mundur të luaj për shkak të lëndimit, atëherë isha trajner ndaj Rahovecit”, ka thënë Berisha për KOHËN. “Situata e papritur më obligoi ta bëja punën e trajnerit, të cilën nuk kam menduar se do ta bëja momentalisht. Fillimisht ishte e papritur, por duhej ta udhëhiqja ekipin. Mirëpo, po shpresoj që herën tjetër ta kem rolin e udhëheqësit në parket dhe jo jashtë tij”.