Sport

Tucheli synon triumfin në Champions me Chelsean, por City e Bayerni mbeten favoritë

Tucheli synon triumfin në Champions me Chelsean, por City e Bayerni mbeten favoritë
 

Midis shumë komenteve të bëra nga kryetari i Juventusit, Andrea Agnelli kohët e fundit, ishte sugjerimi që klubet e përfshira në Ligën e Kampionëve nuk do të lejohen më të blejnë ose shesin lojtarë midis tyre. Në rolin e tij si kreu i Shoqatës së Klubeve Evropiane, Agnelli, është në krye të planeve për të riformuar Ligën e Kampionëve që përfshin zgjerimin e mundshëm të fazës së grupeve në 36 skuadra, secila prej tyre duke i luajtur nga dhjetë ndeshje në grup kundër dhjetë kundërshtarëve të ndryshëm në një të ashtuquajtur “sistemi zviceran”. Reformat e diskutuara shihen gjerësisht si një kompromis midis organit drejtues të futbollit evropian, UEFA-s, dhe klubeve më të fuqishme të kontinentit, për të parandaluar kërcënimin e një “Superlige” të shkëputur, por duke ngulitur pozicionet e ekipeve më të pasura. Juventuesi i Agnellit është një nga klubet e pasura, por që do të mungojë në shortin e çerekfinales që tërhiqet të premten pas eliminimit befasues në 1/8 e finales nga skuadra e Portos. Megjithatë, në vend të transferimit të një lojtari midis dy klubeve të Championsit, është një trajner i cili filloi sezonin në krye të një prej ekipeve elitare të Evropës para se të bashkohej me një tjetër skuadër që bëri përshtypjen më të madhe në Ligën e Kampionëve këtë javë. Thomas Tucheli u shkarkua nga Paris Saint-Germaini në dhjetor pavarësisht se e fitoi grupin e Ligës së Kampionëve që përmbante kundërshtarë, si Leipzigu e Manchester Unitedi. Në janar, ai mori drejtimin e Chelseat dhe ndikimi që trajneri gjerman ka pasur në shtatë javë te klubi londinez, ka qenë i jashtëzakonshëm. Të mërkurën mbrëma, Chelsea eliminoi liderin e La Ligas, Atletico Madridin, që në dy ndeshjet e 1/8 së finales të Championsit e mposhti me rezultatin e përgjithshëm 3:0. Tucheli mori përsipër një skuadër që luftonte për qëndrueshmëri nën drejtimin e Frank Lampardit dhe menjëherë e shndërroi në një njësi supreme të disiplinuar që ka pësuar vetëm dy gola dhe mbetet e pamposhtur në 13 ndeshjet e tij si trajner. Chelsea e bëri Atleticon e Diego Simeones të duket një ekip krejtësisht i zakonshëm në të dyja ndeshjet dhe me këtë paralajmëroi kundërshtarin e ardhshëm që do ta ketë në raundin çerekfinal të kësaj gare.

“Ne e ndiejmë se e meritojmë këtë. Jemi në tetë ekipet më të mira të Evropës, që do të thotë se tashmë kemi bërë një hap të madh. Nuk do të kemi frikë nga askush dhe do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme për ndeshjet çerekfinale, pavarësisht kundërshtarit”, insistoi Tuchel.