Sport

Boksierja Sadiku mirëpret sparingun me medalisten olimpike para turneut kualifikues

 

Donjeta Sadiku e njeh goxha mirë boksieren nga Finlanda, Mira Potkonen. Ka pasur rastin ta shohë edhe nga afër. Por ajo kurrë nuk është përballur me të në ring, ndonëse është në të njëjtën kategori me fituesen e medaljes olimpike në lojërat olimpike “Rio 2016”. Mundësinë për të parë formën e saj, Sadiku do ta ketë nga 9 deri më 22 prill. Sadiku ka marrë ftesë nga Federata e Boksit e Finlandës për të qenë pjesë e përgatitjeve në Tampere të Finlandës. Gjatë kësaj periudhe, Sadiku do të jetë edhe partnere e sparingut për boksieren 40-vjeçare që e pati fituar medaljen e bronztë në kategorinë 60 kilogramë, ndërsa suksese të mëdha pati edhe në kampionatet botërore dhe evropiane. Në këtë të fundit ka fituar dy medalje të arta dhe një të argjendtë, ndërsa ka edhe dy medalje të bronzta të fituara në Botërorin e viteve 2016 dhe 2019. Ka edhe suksese të tjera më të vogla, por ajo vlerësohet ndër më të mirat në kategorinë e saj.

Sadiku insiston se përgatitja në Finlandë ka qenë e paplanifikuar, por thotë se do t’i shërbejë shumë për përgatitje për turneun kualifikues për Lojërat Olimpike që mbahen në Tokio gjatë verës së këtij viti. Turneu kualifikues do të vazhdojë në Paris të Francës prej 4 deri më 8 qershor.