Sport

Klopp kërkon perfeksion nga Liverpooli për ta eliminuar Real Madridin

Foto: AP
 

Liverpooli duhet të prodhojë një “performancë perfekte” për të kapërcyer deficitin e ndeshjes së parë dhe për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ka insistuar trajneri Juergen Klopp.

Klopp është i bindur se vetëm një paraqitje madhështore do t’i ndihmoj Liverpoolit për të tejkaluar Real Madridin. Në ndeshjen e parë të luajtur në Madrid, Liverpooli pësoi humbje me rezultatin 3:1. Të mërkurën mbrëma prej orës 21:00, Liverpooli e pret në stadiumin “Anfield Road” skuadrën madrilene. Kështu që Liverpooli nëse dëshiron të bëjë edhe një rikthim të famshëm në Ligën e Kampionëve, duhet të bëjë ndeshjen më të mirë të këtij sezoni. Në rast se kalon tutje kjo do të jetë hera e tretë që Liverpooli do të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në katër vjetët e fundit. Nëse Liverpooli eliminohet, atëherë kampioni në fuqi i Anglisë, do ta mbyll këtë sezon pa asnjë trofe. Me shtatë ndeshje deri në fund të sezonit në Premier League, tashmë është matematikisht e pamundur që Liverpooli të mbrojë titullin pasi zë vendin e pestë në tabelë dhe ka 22 pikë më pak se Manchester City që është lider. Kështu që të gjitha shpresat për ta shpëtuar këtë sezon zhgënjyes janë te Liga e Kampionëve.