3 perditesime
17:36

Loriana Kuka e pesta në Evropian

Loriana Kuka nuk ia doli të siguroi medalje tjetër për Kosovën në Evropianin e xhudos. Ajo të dielën pasdite u mposht në luftë për vend të tretë në kategorinë deri 78 kilogramë. Lorianën e mposhti francezja Estelle Fanny Posvite.

Francezja fitoi shpejtë, duke e zënë në pozitë të papërshtatshme xhudisten kosovare. Loriana e mbylli garimin me dy fitore e dy humbje. Humbi në gjysmëfinale dhe prapë për vend të tretë. Evropiani mbetet megjithatë ngjarje shumë e suksesshme për Kosovën.

Medalje të arta fituan Distria Krasniqi e Akil Gjakova, ndërsa Nora Gjakova fitoi të bronztë. Në vend të pestë përfunduan Loriana Kuka e Laura Fazliu.

14:24

Kuka ndalet në gjysmëfinale, lufton për të bronztën

Loriana Kuka është ndalur në gjysmëfinale të Evropianit të xhudos që po mbahet në Lisbonë.

Kuka është mposhtur me “ippon” nga holandezja Guusj Steenhuis, 21 sekonda pa mbaruar koha e rregullt e luftës.

Kuka do të luftojë për medalje të bronztë në kategorinë deri 78 kilogramë me francezen Fanny Estelle Posvite, që është e treta në renditjen botërore. 

13:29

Kuka në gjysmëfinale të Evropianit

Loriana Kuka ka arritur në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian të xhudos që po mbahet në Lisbonë.

Kuka në çerekfinale të kategorisë deri 78 kilogramë triumfoi me “ippon” pas shtesës ndaj austriakes Bernadette Graff. Në gjysmëfinale Kuka do të përballet me holandezen Guusje Steenhuis.

12:27

Kuka mposht ukrainasen Turchyn, arrin në çerekfinale të Evropianit

Loriana Kuka ka mposhtur xhudisten ukrainase Anastasiya Turchyn, duke siguruar kalimin në çerekfinale të Kampionatit Evropian të xhudos që po mbahet në Lisbonë.

Kuka, që garon në kategorinë deri 78 kilogramë, triumfoi me “ippon”.  Në çerekfinale do të përballet me austriaken Bernadette Graf. 

Kosova deri më tash në Evropianin në Lisbonë i ka fituar tri medalje, dy të arta dhe një të bronztë. Kryeson në renditje të shteteve pas ditës së dytë të garave. Distria Krasniqi në kategorinë deri 48 kilogramë e Akil Gjakova në atë deri 73 kilogramë kanë fituar të artë, ndërsa Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë të bronztë. Laura Fazliu dje doli e pesta.