2 perditesime
15:23

Milani del me qëndrim zyrtar për Superligën

Skuadra tjetër nga Serie A, Milani ka konfirmuar tërheqjen nga Superliga Evropiane nëpërmjet një komunikate zyrtare të lëshuar të mërkurën.

Deklarata e klubit nuk specifikon saktësisht largimin nga Superliga, ndonëse disa mediumet italiane insistojnë se Milani nuk do të jetë më pjesë e këtij projekti.

“Ne e pranuam ftesën për të marrë pjesë në projektin e Superligës me qëllimin e mirëfilltë për të ofruar një garë më të mirë të mundshme evropiane për tifozët e futbollit në të gjithë botën dhe në interesin më të mirë të klubit dhe tifozëve tanë”, thuhet në njoftim. “Ndryshimi nuk është gjithmonë i lehtë, por evolucioni është i domosdoshëm për përparimin, dhe strukturat e futbollit evropian janë zhvilluar dhe ndryshuar gjatë dekadave. Sidoqoftë, zërat dhe shqetësimet e tifozëve në të gjithë botën janë shprehur qartë për Superligën, dhe Milani duhet të jetë i ndjeshëm ndaj zërit të atyre që e duan këtë sport të mrekullueshëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për të dhënë një model të qëndrueshëm për futbollin”.

Për dallim prej Milanit, ekipi tjetër nga Italia, Interi ka bërë të ditur zyrtarisht se nuk do të jetë pjesë e Superligës.

12:31

Edhe Atletico njofton se nuk është pjesë e Superligës

Atletico Madridi ka bërë të ditur se nuk është pjesë e Superligës Evropiane. Ekipi spanjoll të mërkurën ka njoftuar edhe formalisht tërheqjen nga ideja e Superligës.

Atletico ishte në mesin e tri ekipeve nga La Liga që pranuan themelimin e Superligës Evropiane, së bashku me Real Madridin e Barcelonën.

Me njoftimin zyrtar, Atletico bëhet ekipi i parë nga Spanja që njofton se nuk është pjesë e këtij projekti të Superligës.

“Bordi i Drejtorëve të Atletico Madridit, që është mbledhur këtë të mërkurë në mëngjes, ka vendosur të komunikojë zyrtarisht Superligës dhe pjesës tjetër të klubeve themeluese vendimin e tij për të mos zyrtarizuar përfundimisht aderimin në këtë projekt. Atletico mori vendimin të hënën e kaluar për t'u bashkuar me këtë projekt në përgjigje të rrethanave që nuk ekzistojnë më sot. Për klubin, harmonia është thelbësore midis të gjitha grupeve që përbëjnë familjen ‘rojiblanca’, veçanërisht tifozëve tanë. Ekipi i parë dhe trajneri kanë treguar kënaqësinë e tyre me vendimin e klubit, duke kuptuar që meritat sportive duhet të mbizotërojnë mbi çdo kriter tjetër”, thuhet në njoftimin e Atleticos.

Aktualisht, vetëm katër skuadra ende nuk kanë njoftuar tërheqjen nga Superliga Evropiane: Real Madridi, Barcelona, Juventusi e Milani.

12:18

Interi tërhiqet nga Superliga Evropiane

Interi është ekipi i parë nga Serie A që ka konfirmuar tërheqjen nga Superliga Evropiane. Nëpërmjet një komunikate të lëshuar të mërkurën, Interi edhe zyrtarisht ka njoftuar për vendimin që ka marrë.

“FC Internazionale Milano konfirmon që klubi nuk është më pjesë e projektit të Super League. Ne jemi gjithmonë të përkushtuar t'i japim tifozëve përvojën më të mirë të futbollit; inovacioni dhe përfshirja janë pjesë e ADN-së tonë që nga themelimi ynë. Angazhimi ynë me të gjithë palët e interesuara për të përmirësuar industrinë e futbollit nuk do të ndryshojë kurrë”, thuhet në njoftim. “Interi beson se futbolli, si çdo sektor i veprimtarisë, duhet të ketë interes për të përmirësuar vazhdimisht garat, për të mbajtur tifozë emocionues të gjitha moshave në të gjithë botën, brenda një kornize të qëndrueshmërisë financiare. Me këtë vizion ne shpresojmë të vazhdojmë të punojmë së bashku me institucionet dhe të gjithë aktorët e interesuar për të ardhmen e sportit që të gjithë duam”.

Interi ishte njëri prej tre skuadrave nga Serie A, së bashku me Juventusin e Milanin që kishte konfirmuar pjesëmarrjen në Superligën Evropiane.