Sulmuesi brazilian, Neymar ka insistuar se ky edicion është më i lumturi i tij te Paris Saint-Germaini dhe ka shtuar se “kohët e vështira” që i kishte te ekipi francez, tashmë i ka lënë pas vetes. Me këtë paralajmërim, Neymar ka dhënë sinjale se është i gatshëm për të vazhduar kontratën me PSG-n, që i skadon vitin e ardhshëm.
“Është me rëndësi se po ndihem mirë këtu. Mund të them se i kam kaluar tashmë kohët e vështira dhe ky është edicioni im më i lumtur te Parisi”, është shprehur Neymar.
Sulmuesi 29-vjeçar këtë sezon ka shënuar 14 gola dhe ka bërë nëntë asistime në 24 paraqitje në të gjitha garat. Ai është pjesë e Parisit prej vitit 2017 kur iu bashkua nga Barcelona për një dëmshpërblim rekord prej 222 milionë eurosh.