Sport

Peja me telashe, por me përparësi të terrenit vendas

 

Skuadra e Pejës do ta ketë përparësinë e terrenit, por pritet të ketë telashe në serinë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Në këtë seri të dueleve finale, Peja do të përballet me skuadrën e Golden Eagle Yllit. Dy finalet e para do të zhvillohen në palestrën “Karagaçi” në Pejë, përpara se seria të bartet në Suharekë për dy ndeshjet e tjera dhe nëse vjen deri te ndeshja e pestë dhe vendimtare atëherë fituesi do të përcaktohet në Pejë. Ekipi që shënon tri fitore në serinë finale do të shpallet kampion i këtij sezoni. E për dy ndeshjet e para, Peja nuk e di nëse do të jetë e kompletuar. Përderisa Ylli do të jetë i kompletuar për ndeshjen e parë, te Peja ende nuk e kanë të qartë nëse dy amerikanët Brandon Walters e AJ Walton do të mund të paraqiten. Si Walters ashtu edhe Walton u dënuan me nga dy ndeshje moslojë nga Komesari i Garave, pasi ishin të përfshirë në përleshjen që u krijua pas pjesës së parë në duelin mes Ponte Prizrenit e Pejës. Peja është ankuar në lidhje me këtë dënim në Komisionin Arbitrar të FBK-së dhe vendimi pritet të merret në ditën e lojës. Ndeshja e parë do të luhet të premten prej orës 20:15. Peja është kualifikuar në finale pasi ndeshjen e pestë të serisë gjysmëfinale ndaj Ponte Prizrenit e ka fituar me rezultatin zyrtar 20:0. Në fakt, kjo ndeshje që nisi të martën në Prizren nuk e gjeti fundin për shkak se pas pjesës së parë u krijua një përleshje e madhe në të cilën krahas lojtarëve u përfshinë edhe persona të tjerë. Ndeshja nuk vazhdoi, pasi u ndërpre me vendimin e gjyqtarit, derisa një ditë më vonë Komesari i Garave mori vendim për ta regjistruar me rezultatin zyrtar 20:0 në favor të Pejës, që avancoi në finale me rezultatin e përgjithshëm 3:2. E pasi eliminoi Ponte Prizrenin, ekipin që ishte kampion i pjesës së rregullt, skuadra e Pejës e ka marrë përparësinë e terrenit në këtë seri finale. Ylli pjesën e rregullt e ka mbyllur në pozitën e tretë, derisa Peja doli e katërta.

“Pasi kemi arritur në serinë finale, atëherë synimi ynë si ekip është shumë i qartë: ta fitojmë titullin e kampionit. Megjithatë, nuk do të jetë aspak lehtë, për shkak se përballë kemi një ekip të fortë sikurse Peja. Peja ka një ekip cilësor, por ne jemi përgatitur mirë dhe të gatshëm për ta dhënë më të mirën nga vetja që pas Ligës Unike ta fitojmë edhe titullin e kampionit”, ka deklaruar basketbollisti i Yllit, Erjon Kastrati, për KOHËN. “Jemi tërësisht të fokusuar dhe besoj se do të jenë ndeshje të forta deri në fund”.