Sport

Peja me Waltersin por pa Waltonin ndaj Yllit

Foto: Korniza
 

KB Peja do ta ketë në dispozicion qendrën Brandon Walters prej ndeshjes së parë finale kundër Golden Eagle Yllit por jo edhe plejmejmerin AJ Walton. Këtë vendim e ka marrë Komisioni Arbitrar i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) pas ankesës së KB Pejës në vendimet e Komesarit të Garave. Komesari i Garave i kishte dënuar dy amerikanët e Pejës me nga dy ndeshje moslojë për shkak të përfshirjes në përleshjen që kishte ndodhur pas përfundimit të pjesës së parë në duelin kundër Ponte Prizrenit, i cili është regjistruar me rezultatin zyrtar 20:0 në të mirë të pejanëve.

“Nga provat përkatëse, e veçanërisht video incizimet e incidentit, shihet qartë se z. Brandon Walters sulmohet fizikisht nga dikush nga turma e personave të mbledhur afër daljes nga salla. Në reagim të goditjes së pranuar, dhe në vetëmbrojtje, si të cilësuar nga Komisioni i Arbitrazhit, është përfshirë në përleshjen që kishte pasuar. Rrjedhimisht, Komisioni konsideron se veprimet e z. Walters ishin brenda proporcionalitetit të paraparë sipas Nenit 13 të Rregullores Disiplinore. Prandaj, Komisioni vlerëson dhe vendosë që Pika 9 e Vendimit të Komesarit të Garave të anulohet dhe z. Brandon Walters t’i lejohet vazhdimi i angazhimit në KB Peja pa pengesa”, thuhet në vendimin e Komisionit Arbitrar për qendrën Walters.