9 perditesime
00:39

Llapi fiton Kupën dhe realizon synimin e kamotshëm – daljen në Evropë

Festë të madhe kanë bërë në fushë futbollistët e Llapit të mërkurën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kishin arsye të fortë për këtë, meqë arritën për herë të parë ta sigurojnë trofeun e parë në histori të klubit e po ashtu edhe daljen në Evropë, synim ky i kamotshëm i llapjanëve. Skuadra elitare e Kosovës në futboll, Llapi, të mërkurën e mposhti atë të Ligës së Parë, Dukagjin në finalen e Kupës së Kosovës. Trofeun e Kupës, Llapi e siguroi nëpërmjet penalltive (4:3).

Koha e rregullt prej 90 minutave përfundoi pa gola, ndërsa të dy ekipet shënuan nga një gol në vazhdimet dy herë nga 15 minuta. Të dy golat i shënuan në fund të vazhdimeve. Fillimisht Dukagjini kaloi në epërsi në minutën e 113-të nëpërmjet kapitenit Altin Merlakut, kurse në minutën e 120-të, Llapi e barazoi rezultatin me anë të qendërmbrojtësit Elvis Prençit.

saktë për Llapin nga pika e bardhë ishin: Arbnor Ramadani, Sava Gardasheviq, Bujar Idrizi dhe Muhamed Hyseni, ndërsa dështoi vetëm sulmuesi Ahmed Januzi. Ndërkohë, për Dukagjinin të saktë në tri penalltitë e para ishin: Vildan Kerim, Elton Basriu dhe Fatulm Gashi derisa dështuan Ilir Syla dhe Altin Merlaku.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është ndarë i kënaqur me triumfin e ekipit të tij në finalen e Kupës së Kosovës. Llapi e mposhti në finalen e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë skuadrën e Dukagjinit pas penalltive, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan pa gola. Pas ndeshjes, trajneri Batatina ka thënë se ndihet krenar që e ka shkruar historinë duke e fituar trofeun e parë në historinë e skuadrës së Llapit

“Mendoj se është një emocion i papërshkruar për shkak se shumë gjenerata kanë sakrifikuar te Llapi tashmë 89 vite. Trimat i përcjell fati dhe i bën të shkruajnë historinë. Jam krenar që jam trajneri i parë që i sjell trofeun e Kupës, e sjelli në Podujevë. Të gjithë qytetarët e Llapit do të festojmë bashkërisht, ky është vetëm fillimi pasi rruga e Llapit sapo ka filluar. Po e trasoj rrugën e shumë legjendave të Llapit”, është shprehur Batatina. “Nuk jam dorëzuar asnjëherë, kam insistuar ta fitoj kupën. E bëra historinë pasi e fitova trofeun e parë, e shkrova historinë dhe trofetë tjerë më nuk janë interesant për mua. Jam i nderuar dhe krenar që e arrita këtë sukses historik. Të gjithë do të festojmë, sepse nuk ishte lehtë për shkak se kishim përballë një kundërshtar që nuk ka luajtur futboll por më shumë e ka vonuar lojën. Me rëndësi është ëndrra ime, të gjithë nuk kanë besuar se do ta bëjë Llapin evropian tashmë këtë e arrita dhe jam jashtëzakonisht i lumtur”.

Në fakt, Llapi ka kohë që është duke investuar dhe duke synuar daljen në Evropë nëpërmjet Kupës së Kosovës. Në vitin 2017, Llapi ishte në finale të kësaj gare, por humbi nga Besa pas penalltive dhe kështu mbeti pa paraqitje në Evropë.

Në anën tjetër, trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, edicionin e kaluar e fitoi Kupën e Kosovës, por në edicionin e sivjetmë nuk e përsëriti këtë sukses. Dallku e fitoi Kupën me Prishtinën vitin e kaluar, kurse të mërkurën mbrëma u mposht nga Llapi në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pas gjuajtjes së penalltive. Megjithatë, Dallku pas ndeshjes ishte i zhgënjyer me referimin.

“Normalisht, se është ndjenjë e hidhur. Ishim shumë afër të triumfonim. Jam i lumtur për djemtë, sepse me të vërtetë luajtën ashtu siç jemi marrë vesh. Por unë kam rezervat e mia për referim. Llapi i Superligës dhe Dukagjini i Ligës së parë janë njësoj. Por nuk e kemi pasur tretmanin e njëjtë. Gjyqtarin Nuza e kam mik, e respektoj, edhe është më i miri në Kosovë. Por, sot i kam rezervat e mia. Jemi të zhgënjyer që tifozët nuk kanë qenë të pranishëm, por e kemi ndier praninë e tyre gjatë tërë kohës, gjithmonë kanë qenë afër djemve. Penalltitë janë me fat. Jam i lumtur sepse luftuam dhe treguam se nuk është dallimi shumë i madh me skuadrën e Dukagjinit”, u shpreh Dallku. Dukagjini është në vendin e dytë në Ligën e Parë, Grupi A, me 55 pikë, dy më pak se Malisheva që është lidere. Mirëpo, ende është në garë për të hyrë në Superligë në edicionin tjetër. Dukagjini nuk e rrezikoi asnjëherë gjatë ndeshjes skuadrën e Llapit. Ishin llapjanët që dominuan tërësisht ndeshjen finale. Në minutë ne 33-të, Edon Sadriu pasi u lirua nga mbrojtësit e Dukagjinit gjuajti, por Altik Muhaxhiri e priti gjuajtjen e tij. Ishte edhe rasti i parë më i rrezikshëm për 33 minuta lojë. Ndeshja në fushë po zhvillohej me shumë duele dhe me një nuancë më i rrezikshëm ishte Llapi duke krijuar disa gjysmëraste, por pa sukses. Engjell Hoti gjuajti në minutën e 39-të. Gjuajtja e tij kaloi pak mbi portën e portierit Muhaxhiri. Pjesa e parë e finales përfundoi pa gola.

Edhe në pjesën e dytë skuadra e Llapit dominoi ndërsa Dukagjini mundohej nëpërmjet kundërsulmeve të rrezikonte portën e llapjanëve. Në minutën e 67-të, Arbnor Ramadani gjuajti nga distanca, por topi kaloi jashtë portës së Dukagjinit. Një minutë më vonë, Dukagjini pati një rast shënimi, por portieri i Llapit, Marjan Çoriq, reagoi më shpejt se sulmuesi i skuadrës nga Klina.

Llapi krijoi edhe një rast shënimi në minutë ne 80-të nëpërmjet Valmir Veliut, por gjuajtja e tij u pengua nga një mbrojtës i klinasve. Pranë portës së Dukagjinit shkoi edhe gjuajtja e Engjëll Hotit në minutën e 95-të. Në fakt, Dukagjini ishte i pari që shënoi golin e parë dhe atë në rastin e parë të krijuar. Altin Merlaku shënoi në minutën e 113-të për rezultatin 1:0 pas një gabimi të Bujar Idrizit ku përfitoi për të shënuar pasi doli përballë dhe e kaloi portierin Çoriq. Gëzimi i Dukagjinit nuk zgjati më shumë se shtatë minuta pasi Llapi e barazoi rezultatin. Golin e barazimit për Llapin e shënoi Elvis Prençi. Prençi devijoi topin drejt portës pas harkimit nga këndi.

Me triumfin në Kupë, Llapi është skuadra e parë që për sezonin e ardhshëm ka siguruar paraqitjen në Evropë, përkatësisht Ligën e Konferencave, garë e re e formuar nga UEFA. Është niveli i tretë pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Llapi është në garë për mbijetesë në elitën e futbollit të Kosovës, kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund. Në Ligën e Konferencës do të marrë pjesë edhe nënkampioni i Kosovës, kurse kampioni do t’i sigurojë kualifikimet në Ligën e Kampionëve. Prishtina është pranë titullit. I duhet vetëm edhe një pikë për t’u shpallur kampione, derisa për vendin e dytë në garë janë kampionia në fuqi, Drita, dhe Ballkani.

23:42

Llapi fitues i Kupës dhe siguron Evropën

Skuadra e Llapit është fituese e Kupës së Kosovës në futboll. Llapi e ka fituar Kupën pas ekzekutimit të penalltive 4:3. 

Koha e rregullt dhe ajo dy herë nga 15 minuta përfundoi baras. Me triumfin në Kupë, Llapi e ka siguruar edhe daljen në Evropë, përkatësisht në Ligën e Konferencës. Për Llapin është hera e parë që fiton Kupën e Kosovës.

23:28

Mbyllet ndeshja, penalltitë vendosin fituesin e Kupës

Është mbyllur baras ndeshja finale e Kupës së Kosovës në futboll në mes Dukagjinit dhe Llapit.

Fituesi i Kupës do të vendoset pas ekzekutimit të penalltive.

23:25

Llapi barazon rezultatin

Llapi e ka barazuar rezultatin në minutën e 120-të në ndeshjen finale që po luhet në Prishtinë.

Golin e barazimit për Llapin e shënoi Elvis Prençi.

23:15

Dukagjini në epërsi, shënon Merlaku

Altin Merlaku ia ka dhënë epërsinë Dukagjinit në finale të Kupës së Kosovës.

Merlaku shënoi në minutën e 113-të për rezultatin 1:0 përballë Llapit. Merlaku kaloi disa mbrojtës të Llapit e më pas edhe portierin për të shënuar në portën e zbrazët.

22:41

Përfundon pa gola koha e rregullt e finales së Kupës, ka vazhdime

Ka përfunduar pa gola koha e rregullt prej 90 minuta e finales së Kupës së Kosovës në futboll në mes Dukagjinit dhe Llapit.

Ndeshja finale që po zhvillohet në Prishtinë do të ketë edhe vazhdimet dy herë nga 15 minuta. Nëse rezultati do të jetë i njëjtë edhe në 30 minutat e ardhshëm, atëherë fituesi i Kupës do të përcaktohet nëpërmjet ekzekutimit të penalltive.

22:25

Ende pa gola në finalen e Kupës

Ende nuk ka asnjë gol në finale të Kupës së Kosovës.

Si Llapi ashtu edhe Dukagjini nuk po tregohen të rrezikshëm kur kanë mbetur më pak se 15 minuta lojë të rregullt. Ndeshja finale është duke u zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

22:04

Dominim i lehtë i Llapit në pjesën e dytë

Skuadra e Llapit është duke e dominuar edhe pjesën e dytë, por që ende nuk ka arritur të shënoj gol.

Dukagjini është duke tentuar ta rrezikoj portën e Llapit nëpërmjet kundërsulmeve.

21:36

Pjesa e parë e finales së Kupës Dukagjini – Llapi, përfundon pa gola

Pjesa e parë e finales së Kupës së Kosovës në futboll në mes Dukagjinit dhe Llapit ka përfunduar pa gola. Ndeshja finale është duke u zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Llapi garon në elitën e futbollit të Kosovës, ndërsa Dukagjini është në garë për t’u ngritur në Superligë.

Fituesi i Kupës edicionin e ardhshëm do të marrë pjesë në Ligën e Konferencës.

20:16

Llapi dhe Dukagjini zbulojnë përbërjet me të cilat do ta nisin ndeshjen

Llapi dhe Dukagjini do të përballën sonte në finalen e Kupës së Kosovës në futboll, e cila do të nisë nga ora 20:45 dhe do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Të dyja ekipet kanë publikuar formacionet.

Llapi do të luajë me Çoriqin në portë, në mbrojte Peposhi, Idrizi, Prençi dhe Emini, në mesfushë, Shabani, Arbor Ramadani dhe Hoti, si dhe treshja e sulmit, Sadriu, Selmani e Januzi. Trajner i Llapit: Tahir Batatina.

Kurse Dukagjini, në portë do ta ketë Altik Muhaxhinin, pasta, Basriu, Syla, Kuqi, Gashi, Hasanaj, Millaku, Jashanica, Merlaku, Osmani dhe Mulaj. Trajneri i Dukagjinit: Armend Dallku.