Sport

Kayky, talenti brazilian i Cityt që po zhvillohet në mënyrë shembullore

 

Kayky është një nga talentet më premtuese në futbollin brazilian. 17-vjeçari nënshkroi për Manchester Cityn muajin e kaluar dhe do të bashkohet me shokët e tij të rinj të ekipit në janar të vitit të ardhshëm, pasi ta përfundojë sezonin me Fluminensen. Ai tashmë e ka lënë shenjën e tij në Brazil, duke shënuar gola për Fluminensen në kampionatet shtetërore të Rios, dhe duke u bërë debutuesi më i ri i klubit dhe golashënuesi më i ri në Copa Libertadores.

Transferimi i tij shënon një ndryshim në qasje për kampionin e Premier Leagues. Manchester City tani po shkon në rrugën e Real Madridit për të rrëmbyer talentet nga Brazili para se ata të zhvillohen plotësisht. Klubi gjithashtu ka nënshkruar me mesfushorin 18-vjeçar, Diego Rosa, i cili aktualisht është i huazuar në Lommeli, klubi simotër i Cityt në Belgjikë, dhe mbrojtësin e djathtë, fituesin e Kupës së Botës U17, Yan Couto, i cili është dërguar në huazim në Girona, një klub tjetër nën ombrellën e Cityt.