Sport

Kosova luan me Maltën e Guinenë, jo me Kazakistanin e Komorosin 

 

Përfaqësueses së Kosovës në futboll i janë ndërruar dy prej katër kundërshtarëve të qershorit. Në vend të Kazakistanit, Kosova më 4 qershor luan ndaj Maltës në Austri. Ndërsa në vend të Komorosit, Kosova në Antalia të Turqisë përballet me Guinenë. Këtë e ka bërë të ditur FFK-ja të martën.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se për shkak që Qeveria e Kazakistanit nuk e ka lejuar Kombëtaren e këtij vendi të udhëtojë në Kosovë, ndeshja miqësore e paraparë për t’u zhvilluar më 4 qershor në Prishtinë, Kosovë - Kazakistan është anuluar, derisa në këtë datë ‘Dardanët’ do të luajnë miqësore me Maltën në Austri. Ndërkohë, miqësorja tjetër e paraparë për t’u zhvilluar në Antalia më 8 qershor kundër Komorosit, do të zëvendësohet me Guinenë, pasi Komorosi për shkak të restrikcioneve për hyrje në Turqi si pasojë e Covid-19, e ka të pamundur të udhëtojë në këtë datë në Antalia”, thuhet në njoftim.