2 perditesime
18:48

Biçkaj: Fitimi i kupave më është bërë mentalitet

Kaltrina Biçkaj është njëra nga sulmueset më të mira në Kosovë. Është edhe prej futbollisteve lidere te KFF Mitrovica.

Ka shumë trofe të fituar, e një prej tyre e mori të mërkurën.

Ishte Kupa e Kosovës, edicioni 2020/21, pasi skuadra e saj KFF Mitrovica, mposhti thellë në finale Kosova VR-në, 6:0.

“Për çdo futbolliste, ëndrra më e madhe është të jesh finaliste. Për mua ka nisur të bëhet si mentalitet, të shkoj në finale çdo herë dhe të fitoj. Po na penalizon liga e dobët sepse nuk po kemi shumë konkurrencë mes vete. Por, për çdo vjet po përgatitemi më shumë për Ligën e Kampionëve”, tha pas ndeshjes sulmuesja Biçkaj.

18:47

Jashari: Konkurrenca po na penalizon për Evropë

Konkurrenca jo e duhur brenda Kosovës, po e penalizon skuadrën e KFF Mitrovicës në garat Evropiane.

Kështu ka thënë të mërkurën pas ndeshjes, trajnerja e skuadrës së KFF Mitrovicës, Suada Jashari.

Jashari nënvizoi se tashmë, vëmendja është te kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

“Për finale nuk besoj që duhet shumë motivim. Vetë fakti që jemi në finale është motivim. Ne gjithmonë shkojmë për fitore dhe e shpërblejmë punën që e kemi bërë. Patjetër që konkurrenca më e fortë dhe liga më e fortë na avancon edhe neve, edhe të gjithë. E bën ngritjen e ligës, dhe për neve do të ishte mirë që të kishim konkurrencë. Do të ishim edhe më të përgatitura për garat Evropiane. Fakti që nuk kemi konkurrencë na penalizon në Evropë. Dihet që për Evropë konsiderohemi ekip i ri. Çdo vit bëjmë përgatitje të luajmë sa më mirë ta kalojmë ndonjë raund dhe të shkojmë sa më lartë”, theksoi Jashari.

18:11

KFF Mitrovica e fiton edhe Kupën e Kosovës

Pak ditë pasi e ngriti trofeun e elitës së futbollit të femrave, Klubi i Futbollit të Femrave, Mitrovica, e ka ngritur lartë edhe trofeun e Kupës së Kosovës.

Të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, KFF Mitrovica mposhti Kosova VR-në me rezultatin e thellë, 6:0.

Për katër vjet, është trofeu i tetë i fituar nga vashat mitrovicase. Ato kanë dominuar në futbollin femëror dhe vazhdimisht janë paraqitur në Ligën e Kampionëve, në fazën e parakualifikimeve.

Trajneri i skuadrës Kosova VR në konkurrencën e femrave, Ilir Sopi, ka thënë pas finales së humbur nga KFF Mitrovica se sezoni tjetër do të jetë krejtësisht ndryshe.

“Ishim në vendin e dytë në kampionat dhe arritëm në finalen e Kupës. Kjo ishte forca jonë. Por, nga sot u pa nga klubi jonë që në edicionin tjetër do të fillojmë përforcimet dhe organizimin e klubit siç ka qenë Kosova e Prishtinës në vitet më herët. I urojmë KFF Mitrovicës titullin e fundit që do ta marrë. Nga sezoni tjetër do të ketë ballafaqim tjetër kundër Kosova VR-së”, ka thënë Ilir Sopi, trajner i Kosova VR.