3 perditesime
23:33

Kosova humb miqësoren, por “fiton” kandidatë për të ardhmen

Përzgjedhësi Bernard Challandes e ka vlerësuar pozitive paraqitjen e Kosovës në ndeshjen miqësore kundër Guinesë. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të martën pësoi me rezultatin e ngushtë, 2:1, nga Guineja, në duelin e zhvilluar në Antalia të Turqisë.

Në këtë takim Kosova u paraqit me lojtarë kandidatë për vend në përfaqësuese, kurse një pjesë e tyre ishte nga Superliga. Loja u vlerësua në përgjithësi e zbehtë me raste të pakta shënimi.

Ishte Guineja që realizoi e para në këtë miqësore, përpara se Kosova të ngushtonte rezultatin fare në fund. Golin e vetëm për “Dardanët” e realizoi sulmuesi Arb Manaj në minutën e tretë të kohës shtesë. Manaj u inkuadrua në fillim të pjesëlojës së dytë në vend të Mirlind Dakut. Në anën tjetër, për Guinenë realizues ishin Moustapha Kouyate (60’) dhe Jose Kante (66’). Ky i fundit shënoi nga penalltia.

Kjo ishte miqësorja e tretë e Guinesë që e zhvilloi në Antalia dhe e para që realizoi gola. Në miqësoren e parë Guineja luajti pa gola kundër Turqisë derisa në të dytën u mposht nga Përfaqësuesja e Togos (2:0). Guineja është prej përfaqësueseve cilësore afrikane.

Pas ndeshjes përzgjedhësi i Kosovës, Challandes, vlerësoi se “Dardanët” patën paraqitje të mirë, por në të njëjtën kohë u pajtua edhe me humbjen.

“Jam i kënaqur me punën e ekipit. Ishte një ndeshje e vështirë, sepse përballë kishim një kundërshtar të fortë, në mesin e ekipeve të forta të Afrikës. Kemi bërë punë të mirë si ekip, si kolektiv. Të gjithë kanë vrapuar dhe kanë dhënë më të mirën nga vetja. E kemi parë nivelin dhe nuk ishte lehtë për lojtarët tanë të kishim posedimin e topit apo të kishin raste të mira shënimi”, është shprehur Challandes. “Në përgjithësi ekipi luajti ndeshje të mirë. Por për fitore është një çështje tjetër, pasi duhet të mbajmë më shumë topin. Në këtë ndeshje mund të them se ishte paraqitje e mirë e të gjithë lojtarëve”.

Në pjesëlojën e parë Kosova nuk regjistroi asnjë rast, për dallim prej Guinesë që kërcënoi pak para se ekipet të shkonin në pushim. Ibrahima Conte nuk arriti ta mposhte portierin Visar Bekaj në minutën e 45-të. Bekaj u tregua tejet i vëmendshëm me reagimin e tij.

Në pjesëlojën e dytë Guineja realizoi dy gola të shpejtë brenda gjashtë minutave. Fillimisht në minutën e 60-të Koyate shënoi me kokë nga afërsia pas harkimit të Pa Konates. Ndërkohë në minutën e 66-të Guineja e dyfishoi epërsinë nëpërmjet Kantes, i cili u tregua i saktë nga penalltia. Në minutën e tretë të kohës shtesë sulmuesi Manaj shënoi nga afërsia pasi mori topin në zonë nga Florian Loshaj.

Përzgjedhësi Challandes në këtë ndeshje i bëri gjashtë ndërrime. Ai zbuloi se ka marrë përgjigje pozitive nga lojtarët për të ardhmen.

“Mendoj se lojtarët e kanë parë nivelin ndërkombëtar, intensitetin e lojës. Ishte një rast i mirë për të gjithë dhe për mua që t’i shoh disa lojtarë nga afër. E pranoj humbjen, sepse ishte miqësore. Por, mendoj se lojtarët kanë marrë një përvojë shumë të mirë dhe është një sinjal i mirë për të ardhmen”, ka thënë Challandes.

Të premten Kosova do ta luajë edhe një miqësore tjetër në Antalia. Këtë herë do të përballet me Përfaqësuesen e Gambisë.

18:00

Kosova shënon në fund dhe mposhtet nga Guinea

Përfaqësuesja e Kosovës ka ngushtuar epërsinë e Guinesë në 2:1.

Në minutat shtesë të ndeshjes pas një asistimi të Florian Loshaj, më së miri u gjend Arb Manja që realizoi për 2:1. Moustapha Kouyate (60’) dhe Jose Kante (66’ penallti) realizuan për Guinenë.

Me këtë rezultat u mbyll ndeshja e parë miqësore në Antalia të Turqisë.

17:28

Guinea kalon në epërsi ndaj Kosovës

Përfaqësuesja e Guinesë ka kaluar në epërsi në minutën e 60-të ndaj Kosovës.

Pas harkimit nga Pa Konate brenda zonës u gjete më së miri Moustapha Kouyate që shënoi me kokë për 1:0.

16:53

Mbyllet pa gola pjesa e parë mes Kosovës e Guinesë

Pjesa e parë e ndeshjes miqësore ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës dhe Guinesë që po zhvillohet në Antalia të Turqisë, ka përfunduar pa gola.

Gjatë 45 minutave të para nuk ka pasur shumë raste derisa Kosova nuk e ka rrezikuar asnjëherë portën e Guinesë. Ndërkohë, Guinea ka pasur rast të mirë shënimi në fund të pjesës së parë, por gardiani Visar Bekaj u tregua i vëmendshëm duke evituar rrezikun.