Në ditën kur Llapi e ka mësuar kundërshtarin në Ligën e Konferencës, ua ka vazhduar kontratën shtatë lojtarëve kryesorë të skuadrës.
Kapiteni Bujar Idrizi, Benjamin Emini, Arbnor Ramadani, Elvis Prençi, Ardit Peposhi, Kushtrim Shabani dhe Edon Zeqiri, kanë firmosur me klubin nga Podujeva edhe për një vit.
“Grupi prej shtatë futbollistëve të prirë nga kapiteni i skuadrës, Bujar Idrizi dhe zv.kapiteni Benjamin Emini, mbrojtësit Elvis Prençi e Ardit Peposhi, mesfushorët Arbnor Ramadani, Kushtrim Shabani e Edon Zeqiri, ndonëse kishin kontratë valide deri pas ndeshjeve në Evropë, u dakorduan për vazhdimin e kontratave edhe për edicionin e ardhshëm 2021/22. Kontratë me skuadrën deri më 2022 kanë portieri: Marijan Coriq, mesfushorët: Edon Sadriu e Kastriot Selmani, sulmuesit Valmir Veliu e Adonis Aliu kanë kontratë deri në vitin 2023, kurse mesfushori defensiv, Ilir Krasniqi deri në vitin 2025”, shkruan ndër të tjera në njoftimin e Llapit.
Në Ligën e Konferencës, Llapi si fitues i Kupës së Kosovës, do të përballet me Shkupin.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.