Sport

Barcelona kërkon edhe fitoren e dytë pa Messin pas startit të fortë

 

Barcelona përballet me Athletic Bilbaon të shtunën, në ndeshjen e parë në udhëtim që nga largimi i Lionel Messit, me shpresën se do të vazhdojë me fitore pas nisjes premtuese të edicionit të ri në La Liga, fundjavën e kaluar. Ngjashëm si Barcelona, edhe Real Madridi e Atletico Madridi do të kërkojnë fitoret e dyta në xhiron e dytë të kampionatit spanjoll. Dueli mes Bilbaos e Barçës nis prej orës 22:00. Barça e trajnerit Ronald Koeman mundi Real Sociedadin 4:2 fundjavën e kaluar, pavarësisht largimit të Messit, i cili u transferua te Paris Saint-Germaini si lojtar i lirë. Katalonjasit janë ende pa sulmuesin e krahut, Ousmane Dembele, dhe sulmuesin Sergio Aguero, ndërsa po synojnë rindërtimin e ekipit, pavarësisht problemeve me borxhe. Koeman fitoi trofeun e tij të parë të madh si trajner i Barcelonës sezonin e kaluar kur e mposhti Bilbaon 4:0 në finalen e Kupës së Mbretit, në të cilën Messi shënoi dy herë. Martin Braithwaite zëvendësoi Messin javën e shkuar dhe shënoi një gol, ndërsa Memphis Depay bëri përshtypje në debutimin e tij.

“Ne nuk kemi më vetëm një lojtar që mund ta vendosë fatin e ndeshjeve, pasi tani do të fokusohemi në forcën kolektive. Pas fitores në ndeshjen e parë, jemi edhe më të vendosur për të vazhduar me të njëjtin ritëm, ndonëse sërish përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë”, tha Koeman për Bilbaon, që në ndeshjen e parë luajti baras.