Sport

Unitedi zyrtarizon Ronaldon

 

Cristiano Ronaldo po kthehet te skuadra e Manchester Unitedit. Klubi nga Premier League bëri të ditur të premten se ka arritur marrëveshje për transferimin e sulmuesit 36-vjeçar nga Portugalia, në varësi të kushteve personale, vizës dhe një ekzaminimi mjekësor. Ronaldo, që ishte pjesë e Juventusit prej vitit 2019, u tha të enjten drejtuesve të klubit nga Serie A se nuk donte të luante më për ta, dhe këtë e konfirmoi trajneri Massimiliano Allegri të premten.

Unitedi nuk zbuloi detajet e marrëveshjes për Ronaldon, por raportohet se do të paguajë 25 milionë euro, plus tre të tjerë në formë bonusesh. Ndërkohë, ylli portugez që kishte kontratë me Juventusin deri në vitin e ardhshëm, me Unitedin do të firmosë për dy vjet. Ronaldo luajti për Unitedin nga viti 2003 deri në vitin 2009 dhe u shndërrua në një super yll nën drejtimin e trajnerit të atëhershëm të ekipit anglez, sir Alex Fergusonit.