Sport

Ronaldo nuk e ka ndërmend të ndalet së shënuari edhe pas thyerjes së rekordit

Foto: AP
 

Cristiano Ronaldo sinjalizoi synimin e tij për të vazhduar të luajë për Portugalinë edhe për “vitet në vazhdim” pasi theu rekordin e të gjitha kohërave për më së shumti gola të shënuar me përfaqësueses, i cili mbahej nga iraniani Ali Daei që kishte realizuar 109 gola. Sulmuesi i Manchester Unitedit shënoi dy herë në minutat e fundit të ndeshjes eliminatore për Kampionatin Botëror “Katari 2022” kundër Irlandës, për t’ia siguruar fitoren Portugalisë me rezultatin 2:1. Me golat e shënuar Ronaldo arriti në kuotën e 11 golave për t’u bërë rekordmen i ri. Ronaldo, i cili është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve dhe shënuesi kryesor në historinë e Real Madridit, e udhëhoqi vendin e tij në triumfin e vetëm të madh, titullin e kampionit të Evropës në vitin 2016. 36-vjeçari foli për krenarinë e tij pas arritjes së tij të fundit, rekordit të golave në nivel përfaqësuesesh.

“Nga të gjitha rekordet që kam thyer gjatë karrierës sime - dhe për fat ka pasur disa - ky është shumë i veçantë për mua dhe është sigurisht në raftin e arritjeve që më bëjnë vërtet krenar për karrierën time”, shkroi Ronaldo në “Instagram”. “Të shënosh 111 gola për Portugalinë do të thotë 111 momente si ato që përjetuam në Algarve, momente të bashkimit në mbarë botën dhe lumturi për miliona e miliona qytetarë portugezë në të gjithë globin. Për ta, çdo sakrificë ia vlen”.