Portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha, është prezantuar të premten si futbollist i ri i skuadrës së Torinos.
Berisha 32-vjeçar që ka bërë karrierë të madhe në elitën e futbollit të Italisë, ka folur në konferencën për shtyp të premten dhe ka thënë se do ta shfrytëzojë mundësinë që do t’i jepet.
Sipas mediumeve italiane, Berisha është transferuar në Torino si portier i dytë.
“Jam shumë i lumtur që mu dha rasti të transferohesha te Torino. E dimë se Toro është ekip i madh e me lojtarë shumë të mirë. I di vështirësitë, por jam i bindur se gjëra të mira do të vijnë. Kam besim se do të bëjmë gjëra të mira në kampionat sivjet”, ka thënë fillimisht Berisha.
Berisha ka folur edhe për konkurrentin e tij, portierin e parë Milinkoviq-Saviq, si dhe për trajnerin e skuadrës, kroatin Ivan Juriq.
“Ideja ime para se të vija këtu ishte që ta ndihmoj ekipin. Ka shumë lojë dhe do të ketë mundësi për ta treguar se sa vlej. Ende po punoj për ta shfrytëzuar mundësinë dhe për ta ndihmuar ekipin. Nga portierët gjithmonë më ka pëlqyer Van der Sar, i fortë, portier i qetë, i gatshëm për ta bërë diferencën. Mundohem që të jem si ai”, theksoi Berisha.
“Gasperini dhe Juriq? Ka shumë ngjashmëri mes tyre. Janë të ngjashëm në mënyrën se si i përgatisin ndeshjet. Ky fakt është avantazh për mua sepse e di se si duhet të sillem si portier”, përfundoi ai.
Torino të dielën në orën 15:00 ballafaqohet me Salernitanan në kuadër të elitës së futbollit të Italisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.