Sport

Roma e Tottenhami i garantojnë shkëlqim garës së re evropiane – Ligës së Konferencës

Foto: AP
 

Për adhuruesit e futbollit është një turne i klasës së tretë, larg nivelit joshës të elitës së futbollit evropian, por përurimi i Ligës së Konferencës që fillon këtë javë ka shumë gjëra për të ofruar. Tottenhami dhe Roma e Jose Mourinhos janë atraksionet kryesore në atë që është niveli i ri i tretë i konkurrencës kontinentale. Kjo ndoshta nuk e bën atë të tingëllojë mirë, por përtej kësaj, kjo është një mundësi që klubet nga disa prej vendeve më të vogla të kontinentit të luajnë më shumë ndeshje, të fitojnë më shumë para dhe të kenë më shumë ekspozim. Liga e Konferencës është një ide e mirë, megjithëqë nuk do të ketë atraksion të madh dhe nuk do të tërheqë shumë shikues.

Ekziston një përzierje e emrave të vjetër të të famshëm dhe klubeve më të vogla pothuajse të panjohura, si Lincoln Red Imps nga Gjibraltari, i cili dikur mposhti Celticun në ndeshjen e parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve. Krijimi i Ligës së Konferencave ka bërë që Liga e Evropës që tashmë i takon nivelit të dytë të garave të jetë më e thjeshtuar, e ngushtuar nga 48 skuadra në fazën e grupeve në 32 sosh, si në Ligën e Kampionëve. Ekzistojnë gjithashtu 32 ekipe në Ligën e Konferencës, e cila ofron vetëm një vend të vetëm për secilën nga pesë ligat e mëdha të Evropës, megjithëse nuk ka asnjë skuadër spanjolle sepse përfaqësuesi i mundshëm i Spanjës, Villarreali fitoi edicionin e shkuar në Ligën e Evropës dhe kështu u kualifikua në Champions për këtë sezon. Kjo bën që krahas Tottenhamit e Romës, të mbesin edhe Union Berlini nga Bundesliga e Rennesi nga Franca. Holanda, ndërkohë, ka tri klube konkurruese, përfshirë ish -fituesin e Kupës Evropiane, Feyenoordin dhe qëllimi i këtij ekipi është të arrijë në finalen që mbahet më 25 maj të vitit të ardhshëm në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Në duelin e parë të kësaj gare, Feyenoordi luajti pa gola në udhëtim ndaj Maccabi Haifas të martën.