Sport

Tifozët e Cityt i kërkojnë Guardiolas të merret me stërvitje pas thirrjes që të mbushen tribunat

 

Tifozët e Manchester Cityt i kanë thënë trajnerit Pep Guardiola që t’u “përmbahet stërvitjeve” pasi u “zhgënjyen” nga lutja e tij për të pasur më shumë mbështetës në tribuna gjashtë ndeshjeve që ekipi i luan në shtëpi. Guardiola tha se ekipi i tij do të “kishte nevojë” për një prani më të madhe të tifozëve në “Etihad Stadium” kundër Southamptonit këtë fundjavë, pasi pa pak më shumë se 38.000 nga 55.000 ulëset e lira në stadium për ndeshjen e Ligës së Kampionëve, të cilën skuadra angleze e fitoi kundër Leipzigut 3:0 të mërkurën mbrëma. Por, sekretari i përgjithshëm i klubit të tifozëve zyrtarë të Cityt, Kevin Parker dëshiron që Guardiola të jetë më i vëmendshëm ndaj rrethanave, duke këmbëngulur se trajneri spanjoll “nuk i kupton vështirësitë” me të cilat përballen përkrahësit.

“U befasova shumë me ato që i tha Guardiola. Unë nuk jam i sigurt se çfarë ka të bëjë me të mungesa e tifozëve në tribuna. Ai nuk i kupton vështirësitë që disa njerëz kanë mundur t’i kenë për të qenë në stadium për ndeshjen ndaj Leipzigut të mërkurën mbrëma. Ata kanë fëmijë për t’u kujdesur dhe mund të mos jenë në gjendje ta përballojnë blerjen e biletës, sidomos në këtë kohë kur të gjithë po kanë vështirësi edhe me koronavirusin. Unë nuk e kuptoj se pse Guardiola merret me këtë çështje”, ka insistuar Parker. “Ai është absolutisht trajneri më i mirë në botë, por mendoj se ndoshta duhet të merret vetëm me punën që e ka, ta stërvitë ekipin. Pas komenteve të tij, njerëzit më shumë po flasin për Pepin sesa lojën fantastike që e shfaqi ekipi ndaj Leipzigut. Të dyshosh në mbështetjen e tifozëve, është shumë zhgënjyese dhe e pakthyeshme”.