2 perditesime
20:35

Napoli fiton bindshëm dhe kalon në vendin e parë, Rrahmani pëson lëndim

Napoli e ka mposhtur Sampdorian si mysafir me rezultat të thellë 4:0 dhe e ka rrëmbyer pozitën e parë në tabelë pas javës së pestë.

Mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani ishte titullar, por u detyrua të largohet pas një lëndimi që pësoi në kokë. Ai doli nga fusha në fillim të pjesës së dytë pasi nuk ishte në gjendje ta vazhdojë takimin.

Golat për triumfin e Napolit i shënuan Victor Osimhen (10’, 50’), Fabian Ruiz (39’) dhe Piotr Zielinski (59’).

Me 15 pikë, Napoli zë vendin e parë me dy pikë më shumë se Interi e Milani që ndajnë pozitat dy dhe tre.

Sampdoria është në vendin e 13-të me pesë pikë.

19:44

Rrahmani i pafat, lëndohet dhe largohet nga fusha

Amir Rrahmani ka qenë i pafat pikërisht në kohën kur dukej se kishte fituar vendin e startuesit te Napoli.

Mbrojtësi kosovar u detyrua ta lirojë fushë në minutën e 48-të për shkak të një lëndimi, duke u zëvendësuar nga Kostas Manolas.

Në pamje të parë, lëndimi dukej mjaft serioz, por megjithatë duhet pritur testet e mëtejshme.

Ky është edhe një lajm jo i mirë për Përfaqësuesen e Kosovës, që zhvillon ndeshjet e radhës për kualifikimit të Botërorit në fillim të tetorit.

18:15

Rrahmani titullar te Napoli, Muriqi sërish rezervist te Lazio

Sampdoria – Napoli dhe Torino – Lazio, janë dy ndeshje e xhiros së pestë në Serie A që zhvillohen sonte prej orës 18:30.

Te Napoli sërish titullar është mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani. Kjo është ndeshja e tij e tretë rresht që është në përbërjen e parë te ekipit napolitan.

Ndërkohë, Vedat Muriqi sërish do të jetë në bankën e rezervistëve te Lazio. Në bankë është edhe portieri Thomas Strakosha. Ndërkohë nga minuta e parë do të luajë Elseid Hysaj.

Kurse te Torino rezervistë janë portieri Etrit Berisha dhe Mërgim Vojvoda.