Sport

Gjilani synon t’i kthehet fitores në derbin e zjarrtë ndaj Dritës

Foto: Driton Paçarada / KOHA
 

Për qendërmbrojësin e Gjilanit, Arbër Prekazi, derbi ndaj Dritës është i pari në karrierën e tij të pasur në futbollin e Kosovës. Prekazi, që iu bashkua Gjilanit para fillimit të këtij edicioni, thotë se do të jetë i privilegjuar që do ta shijojë atmosferën në derbin e zjarrtë të qytetit. Dëshira e tij është që Gjilani ta fitojë këtë ndeshje dhe të gëzojë tifozët, pasi siç thotë Prekazi, derbi luhet për tifozët. Në fakt dueli mes Dritës dhe Gjilanit do të jetë kryesori i xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll, që nis të shtunën. Derbi më i madh në vend luhet të dielën prej orës 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Derbi është zhvendosur në kryeqytet pas kërkesës së Dritës që është nikoqire, për shkak të punimeve në stadiumin e qytetit në Gjilan. Kjo do të jetë hera e dytë në vitet e fundit që derbi i qytetit të Gjilanit luhet në Prishtinë. U pat luajtur edhe në vitin 2019 dhe pati përfunduar pa gola.

Në njoftimin e Dritës thuhet se “derbi më i madh lokal do të zhvillohet në Prishtinë, për shkak të punimeve në stadium dhe sigurisë së tifozëve tanë”.