Sport

De Bruyne synon finalen e dytë dhe triumfin e parë në Evropë

 

Manchester, 18 tetor (AP) – Kevin De Bruyne me të vërtetë dëshiron të luajë në një finale të dytë të Ligës së Kampionëve, sepse mezi e mban mend finalen e parë të tij. Mesfushori i Manchester Cityt pësoi thyerje të hundës dhe lëndim të syrit gjatë humbjes 1:0 nga Chelsea në finalen e luajtur në Porto në muajin maj, pasi u përplas me Antonio Rudigerin. I tronditur dhe i hutuar, De Bruyne kishte nevojë për ndihmë dhe u largua nga loja në minutën e 60-të për t’u dërguar në spital. Mesfushori belg tha të hënën se nuk mban mend asgjë nga momenti kur ndodhi përplasja deri kur ai u kthye në hotelin e ekipit të nesërmen, ende me dhimbje.

“Ishte ora rreth 10:00 e mëngjesit dhe unë ende e kisha të veshur fanellën e Cityt”, tha De Bruyne përpara kthimit në Belgjikë për ndeshjen e Grupit A, që City e luan kundër Club Brugget të martën. “Kjo është ajo që mbaj mend nga ajo finale”.