Sport

Salah e ka shndërruar Liverpoolin në favorit për trofeun prestigjioz të Evropës

 

Liverpool ishte afër mospjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve këtë sezon, por me sulmuesin Mohamed Salah në formë mahnitëse skuadra e trajnerit Juergen Klopp po duket si pretenduese për trofeun e kësaj gare edhe një herë. Salah ka shënuar 12 gola në vetëm 11 ndeshje këtë sezon, me dy gola që i shënoi në fitoren e Liverpoolit 3:2 ndaj Atletico Madridit në stadiumin “Wanda Metropolitano”, ku e fitoi trofeun e Ligës së Kampionëve dy vjet më parë.

Fitorja emocionuese e Liverpoolit 3:2 kundër Atletico Madridit ka bërë që ekipi anglez të jetë në prag të kualifikimit në 1/8 e finales edhe pse deri në fund të fazës së grupeve kanë mbetur edhe tri ndeshje të pazhvilluara. Pas tri ndeshjeve të luajtura Liverpooli i prin Grupit B me nëntë pikë, pesë më shumë se Atletico që zë vendin e dytë. Liverpooli gjithashtu ka filluar fuqishëm këtë sezon edhe në Premier League, duke qëndruar vetëm një pikë prapa Chelseat që është lider në tabelë dhe duke u mburrur si ekipi i vetëm që ende nuk di për humbje në kampionatin anglez. Edhe pse e siguroi pjesëmarrjen në Champions sezonin e shkuar në momentet e fundit, Liverpooli tani është në një seri prej 21 ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat. Rikthimi i Salah në formën që e pa atë të shënonte 44 gola në një sezon debutues të jashtëzakonshëm te Liverpooli në 2017/18, ka qenë shkaku kryesor i rikthimit të fuqishëm të ekipit të Kloppit. Egjiptiani ka shënuar gola të paharrueshëm kundër Manchester Cityt dhe Watfordit në javët e fundit dhe madje pati fat në golin e epërsisë së Liverpoolit kundër Atleticos. E vetmja njollë në sezonin e Salahut ishte një penallti e humbur kundër Milanit në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Championsit, dështimi i tij i parë nga pika e bardhë për Liverpoolin që nga viti 2017. Sidoqoftë, ai tashmë e ka lënë pas vetes atë dështim pasi u tregua i saktë nga penalltia për t’ia siguruar fitoren Liverpoolit në Madrid kur kishin mbetur edhe 12-të minuta lojë deri në fund të ndeshjes. Ky gol bëri më shumë histori të Liverpoolit për Salahun, pasi ai tejkaloi Steven Gerrardin si golashënuesi më i mirë i klubit në Ligën e Kampionëve. Me dy golat ndaj Atleticos, Salah ka arritur në kuotën e 31 golave të realizuara me fanellën e Liverpoolit në Champions. Ai është gjithashtu lojtari i parë që shënon në nëntë ndeshje radhazi për klubin.