Sport

Barcelona e Reali kombinojnë të tashmen dhe të ardhmen në “El Clasicon” e gjigantëve të rënë

 

Lojtarët e Barcelonës u mblodhën për darkë në një restorant katalonjas mbrëmjen e së mërkurës për të festuar kontratën e re të Ansu Fatit dhe për t'u lidhur më shumë mes vete para “El Clasicos” kundër Realit, që do të luhet të dielën prej orës 16:15 në “Camp Nou”.

Përkushtimi i 18-vjeçarit Fati edhe për gjashtë vjet të tjerë kishte një rëndësi të veçantë për Barcelonën. Përkundër të gjitha problemeve me të cilat përballet, një nga talentet më të vlerësuar në botë i ka qëndruar besnik Barcelonës, duke rritur shpresat se ai mund të jetë udhëheqësi i një brezi të ri. Dhe falë kontratës së Fatit, te Barça menjëherë ka lindur dëshira për shoqëri përpara vizitës së Real Madridit. Do të jetë një shans për Barcelonën, pasi dueli me Realin do të mbyllë tri ndeshjet në shtëpi që trajneri Ronald Koeman i quajti vendimtare për ta kthyer ekipin në rrugën e duhur, pas fillimit të dobët të sezonit dhe presionit të madh që e kishte.