1 perditesime
12:22

Boksierët kthehen në Prishtinë, presin lajme nga AIBA

Boksierët e Kosovës po kthehen në Prishtinë pasi nuk u lejuan të futen në territorin e Serbisë. Ata janë nisur për në Beograd ku mbahet Kampionati Botëror. Por në kufi u është thënë të lënë uniformat me simbole të Kosovës, për t'i lejuar të hyjnë në territorin e Serbisë. Kjo nuk është pranuar nga delegacioni kosovar pasi me AIBA-n kishte pajtim për trajtim të barabartë.

Pasi kanë qëndruar për shumë orë në afërsi të kufirit, delegacioni kosovar është nisur për në Prishtinë.

"Po kthehemi pasi jemi lodhur dhe duhet të pushojmë. Ndërkohë presim lajme nga AIBA. Presidenti i AIBA- takohet me Aleksander Vuçiqin për këtë çështje", ka thënë Latif Demolli, sekretar i përgjjthshëm i FBOXK.

Në Botëror duhet të paraqiten tre boksierë nga Kosova.

07:38

Boksierët e Kosovës nuk lejohen të hyjnë në Serbi

Boksierët e përfaqësueses së Kosovës nuk janë lejuar të hyjnë në territorin e Serbisë. 

Delegacioni i Kosovës është nisur për në Beograd, ku duhej të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të boksit amator, që fillon më 24 tetor. Delegacionit të Kosovës i është kërkuar të lë në kufi uniformat me shenjat e Kosovës, si kusht për të hyrë në Serbi. Një gjë e tillë nuk është pranuar nga  drejtuesit e delegacionit kosovar. 

Ende sportistët e Kosovës nuk kanë garuar në ngjarjet ndërkombëtare të mbajtura në territorin e Serbisë.

“Rreth orës një jemi nisur për në Beograd. Jemi ndalë në kufi në Konçul nga policia serbe dhe nuk na lejuan të dalim andej, për shkak të shenjave të Kosovës në tutat sportive dhe në fanellat tona. Në to shkruan KOS, ndërsa na thanë se duhet t’i lëmë në kufi dhe mund të vazhdojmë. Por siç jemi dakorduar me AIBA-n, që marrim pjesë vetëm me shenja të Kosovës, ne nuk pranuam. Tani jam në kontakt me zyrën e AIBA-s dhe po presim përgjigje”, ka treguar Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës. “Na thanë lëreni uniformën këtu dhe me përcjellje ju dërgojmë në Beograd. Ne jemi në kufi duke kontaktuar me AIBA-n për të intervenuar”, ka shtuar Demolli.
Kosova ka paraqitur tre boksierë për të garuar në Botëror.
AIBA dhe Federata e Boksit e Serbisë si organizatore e Botërorit, nuk kanë pranuar të kontaktojnë për pjesëmarrjen e Kosovës në Botëror, që nëse realizohet, do të jetë historike.