1 perditesime
Sport

Qeveria i bën thirrje Serbisë që t’i lejojë boksierët kosovarë të marrin pjesë në Botëror

Qeveria i bën thirrje Serbisë që t’i lejojë boksierët kosovarë të marrin pjesë në Botëror
21:32

Qeveria i bën thirrje Serbisë që t’i lejojë boksierët kosovarë të marrin pjesë në Botëror

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dënuar ashpër vendimin e sotëm të autoriteteve të Serbisë, të cilët penguan hyrjen e boksierëve kosovarë në territorin e tyre, për shkak të simboleve shtetërore në uniforma dhe për herë të dytë, edhe pa simbole.

“Me këtë veprim, Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, kanë shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit. Federata e Boksit të Kosovës është anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit (AIBA)”, thuhet në njoftim.

MKRS-ja bëri thirrje që të lejohet hyrja me kohë e boksierëve kosovarë për të nisur Kampionatin Botëror.

“Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të Serbisë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që garuesit tanë të arrijnë në kohë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor. Këtë kërkesë e kemi drejtuar edhe me shkrim te ministri i Rinisë dhe Sportit në Serbi, Vanja Udoviçiq”, thuhet tutje në reagim.

Përveç MKRS-së, rreth kësaj çështje disa orë më parë reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme. 

Image
21:01

Ekipit i boksit sërish nuk lejohet të hyjë në Serbi

As për herën e dytë, ekipi i boksit të Kosovës, nuk është lejuar të hyjë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që nesër nisë në Beograd të Serbisë.

Pas konsultimeve mes KOK-ut, AIBA-s dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, dhe me rekomandim të AIBA-s, ekspedita e boksit u nis sonte drejt pikës kufitare në Merdarë, pa veshur uniformën me simbole tonat shtetërore, arsyetim që policia serbe e kishte gjetur në tentimin e parë në kufirin te “Dheu i Bardhë”.

Mirëpo, edhe pa simbole shtetërore në veshjet sportive, ekipi nuk u lejua të kalonte kufirin.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, ka thënë për KOK-un se arsyetimi i policisë serbe ishte se delegacioni ynë ka hyrë në sistem dhe Qeveria e Serbisë nuk lejon hyrjen e tyre.

“KOK menjëherë ka njoftuar AIBA-n dhe KON-in për veprimin e Qeverisë serbe, të cilin e konsideron kryekëput politik dhe që tenton me çdo kusht t'ua mohojë garimin boksierëve tanë në Botëror”, thuhet në njoftim.