Sport

Van Bommel mund të jetë i pari prej shumë trajnerëve që do të largohen nga Bundesliga

 

Berlin, 25 tetor (AP) – Mark van Bommel u bë trajneri i parë në Bundesligë që e humbi punën këtë sezon kur u shkarkua nga Wolfsburgu të dielën pas vetëm nëntë ndeshjeve kampionale në krye të ekipit. Ai nuk ka gjasa të jetë i fundit. Një pjesë e vogël e trajnerëve të tjerë janë nën presion të madh në Gjermani dhe rasti i Van Bommelit tregoi se sa shpejt klubet mund të humbasin durimin nëse mungojnë rezultatet. Van Bommel e kishte nisur mirë sezonin, me pesë fitore në të gjitha garat, por ish-reprezentuesi holandez bëri një gabim të madh që ishte i pari, kur futi gjashtë zëvendësues në vend të pesë të lejuarve në një fitore në Kupën e Gjermanisë ndaj Muensterit. Wolfsburgu më pas u përjashtua nga gara në favor të skuadrës së nivelit të katërt, dhe megjithëse klubi e largoi mllefin e tifozëve duke ofruar bileta me çmim të ulët dhe duke fituar katër ndeshjet e para të ligës, kjo nuk mjaftoi për Van Bommelin. Ai që nga atëherë ka shkuar në një seri prej pesë ndeshjeve pa fitore në Bundesligë dhe tri tjera në Ligën e Kampionëve. Humbja e xhiros së fundit në shtëpi nga Freiburgu (2:0) ishte e fundit për holandezin si trajner i Wolfsburgut. Ishte edhe një paraqitje e dobët pas humbjeve të njëpasnjëshme nga Salzburgu, Union Berlini dhe Borussia Moenchengladbachu.

“Në fund nuk kishte besim se do të ndryshonim trendin e rezultateve negative për ta përfunduar sezonin ashtu siç e imagjinonim”, tha të hënën drejtori i përgjithshëm Joerg Schmadtke. “Gjithçka ndodhi shumë shpejt, por ky nuk ishte një zhvillim që është marrë parasysh vetëm dje. Ne kemi kohë që si klub e kemi diskutuar ndryshimin e trajnerit”.