Kastriot Imeri është pjesë e Përfaqësueses A të Zvicrës për herë të parë. Ai është grumbulluar nga përzgjedhësi Murat Yakin për dy ndeshjet e rëndësishme kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, atë me Italinë dhe Bullgarinë. Këto janë ndeshje që mund ta përcaktojnë fatin e Zvicrës për Botërorin e vitit të ardhshëm, pasi po e kërkon kualifikimin direkt në këtë ngjarje. Zvicra është e dyta në Grupin C me 14 pikë të mbledhura, sa i ka edhe Italia pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara. E Imeri duket plotësisht i gatshëm për ta dhënë kontributin e tij te Zvicra, pasi thotë se “helvetikët” kanë pasur nevojë për një lojtar me tipare të tij. Bazuar në atë që Imeri ka treguar deri më tani, si për ekipin e tij Servetten ashtu edhe Përfaqësuesen U21 të Zvicrës, atëherë po del që ftesa e përzgjedhësit Yakin nuk është aspak e rastësishme për mesfushorin 21-vjeçar. Imeri fillimisht ishte në listën rezervë, por pas mungesës së disa lojtarëve shkaku i lëndimeve, ai është ftuar nga Yakin. Mesfushori ka luajtur për të gjitha ekipet e reja të Zvicrës para se të ftohet te ekipi A, me të cilin ka nisur stërvitjet prej ditës së hënë. Duelin e parë këtë muaj Zvicra e luan të premten në udhëtim te Italia.
“Jam i lumtur për ftesën e tij, pasi më këtë Kastriot Imeri ma kanë dhënë dëshminë se kisha gabuar shumë në lidhje me të kur nuk e ftova para pesë vjetësh për Kampionatin Evropian”, pranon Yves Debonnaire, ish-përzgjedhësi i U17 të Zvicrës. “Më pëlqyen veprimet e tij të shpejta dhe teknika e tij, por kuptova se i mungonte qartësia dhe saktësia në ide. Ndoshta, nuk e vërejta në atë kohë”.
Rritja e shpejtë
Imeri tani është njëri pre lojtarëve më të rëndësishëm te Servette, qëkur u promovua në ekipin e parë në vitin 2017 dhe ka shkëlqyer me Përfaqësuesen U21. Në fakt, ai ishte më i merituari që kjo gjeneratë e Zvicrës është në krye të grupit për kualifikimet e Kampionatit Evropian të vitit 2023. Muajin e shkuar, Zvicra U21 arriti fitore të rëndësishme në Bullgari (1:0), falë golit të Imerit. Ai shënoi nga gjuajtja e lirë prej një distance prej gati 21 metrave e po ashtu pati paraqitje të mirë në barazimin 2:2 ndaj Holandës. Tani, më pak se një muaj më vonë, Imeri pritet që të jetë befasia e Zvicrës në duelin vendimtar kundër Italisë.
“Nuk e kam pritur që të ftohem kaq shpejt, por në fund është një progres normal. Kam bërë shumë sakrifica për të arritur deri këtu dhe nuk pendohem për asgjë. Futbolli është profesioni që ka qenë primar për mua dhe të cilit i jam përkushtuar gjithmonë”, pranoi Imeri. “Jam maksimalisht i motivuar dhe i gatshëm për ta dhënë kontributin tim nëse me jepet rasti”.
Imeri mund të luajë si organizator, por edhe mesfushor krahu, pozita këto në të cilat ka luajtur edhe te Përfaqësuesja U21.
Ndër lojtarët më të vlefshëm në Zvicër
“U habita edhe vetë që shkoi gjithçka kaq shpejt”, ka thënë ai, “Vetëm fakti që hyra në listën pritëse më bëri mua dhe familjen time vërtet të lumtur”.
Në të vërtetë, nominimi i Imerit nuk është aspak si surprizë e madhe duke u bazuar në shifrat e tij. Ai tashmë ka shënuar katër gola për Servetten në dhjetë paraqitje në Superligën e Zvicrës. Së fundmi, Imeri ka shënuar në dy ndeshje rresht, kundër Sionit dhe Zuerichut. Pas mbrojtësve
Leonidas Stergiou (St. Gallen) dhe Beqir Omeragiq (Zuerich), si dhe sulmuesit të Young Boysit, Felix Mambimbi, Imeri, që po shkëlqen këtë edicion, është lojtari i katërt më i vlefshëm i Superligës së Zvicrës. Vlera e tij tani në tregun e futbollit është 4.5 milionë franga zvicerane. Imeri ka kontratë me Stervetten deri në verën e vitit 2023.
“Kastrioti është një lojtar që ka vullnet të jashtëzakonshëm dhe aspak nuk më habit forma e tij e mirë te Servette apo edhe ftesa nga Zvicra. Ai ka punuar shumë dhe kjo arritje e tij nuk është rastësi”, ka pranuar Matteo Vanetta, trajneri që e stërviti Imerin te ekipi U18 i Servettes.
I mërzitur me mungesën e Xhakës
Në të vërtetë, Imeri do të kishte të drejtë të luante edhe për Përfaqësuesen e Kosovës. Mirëpo, ai duket se asnjëherë nuk e ka pasur në mendje një gjë të tillë, pasi gjithmonë ka qenë i fokusuar te Zvicra.
“Ka qenë gjithmonë e qartë për mua se do të luaja për Zvicrën. Zvicra më dha gjithçka”, shpjegon Imeri.
E modeli i lojtarit që Imeri gjithmonë e ka pëlqyer dhe mbetet i preferuari i tij është një tjetër lojtar shqiptar, që është pjesë e Zvicrës. Bëhet fjalë për mesfushorin e Arsenalit, Granit Xhaka, që është edhe kapiten i Zvicrës. Megjithatë, Xhaka nuk ka mundur t’i bashkohet zviceranëve për dy ndeshjet e rëndësishme të këtij muaji për shkak të lëndimit dhe për këtë Imeri ndihet keq.
“Jam pak i trishtuar që ai nuk është këtu pasi Xhaka është modeli im i lojtarit”, shtoi Imeri, i cili nuk dëshiron të krahasojë stilin e tij të lojës me ndonjë lojtar tjetër. “Unë nuk e krahasoj veten me lojtarë të tjerë. Mundohem të marrë diçka nga lojtarë të ndryshëm; agresivitetin, përkushtimin dhe teknikën. Mirëpo, unë e kam stilin tim të lojës. Në fushë unë jam pjesë e ekipit si çdo lojtar tjetër dhe përpiqem ta ndihmoj ekipin”.
Fakti që Imeri tashmë ka bërë kërcimin nga U21 dhe mund t'i ndihmojë ekipit A këtë muaj. Dhe, mundësitë janë të mëdha që Imeri të luajë jo vetëm ndaj Italisë, por edhe kundër Bullgarisë javën tjetër. Kundër Italisë, trajneri Murat Yakin pritet të mbështetet në një sistem me dy mesfushorë prapa një sulmuesi të vetëm. Dhe, një prej këtyre dy pozitave prapa sulmuesit është e lirë për shkak të dëmtimit të Steven Zuberit. Kështu që, Imeri është i destinuar për ta mbushur këtë vend sepse është një lojtar i gjithanshëm.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.