Mesfushori Jorginho mendon se ai duhet ta fitojë “Topin e Artë” këtë vit për të dëshmuar se jo vetëm golat merren parasysh për këtë çmim. Mesfushori i Chelseat dhe Italisë është njëri prej kandidatëve për ta fituar këtë çmim, pasi këtë vit i fitoi dy trofe të rëndësishëm. Jorginho, fillimisht e fitoi Ligën e Kampionëve me skuadrën e Chelseat, përpara se të bëhej kampion i Evropës edhe me Italinë.
Për këto suksese, Jorginho tashmë është shpallur futbollisti më i mirë i vitit nga UEFA. Ceremonia për ndarjen e “Topit të Artë” do të mbahet më 29 nëntor, ndërsa lista e futbollistëve të nominuar është publikuar në fillim të muajit të shkuar. Pavarësisht që Jorginho thotë se e meriton këtë çmim, favoriti kryesor për “Topin e Artë” të këtij viti mbetet argjentinasi Lionel Messi. Messi është rekordmen sa i përket këtij çmimi, të cilin e ka fituar gjashtë herë në karrierë, një herë më shumë se portugezi Cristiano Ronaldo. Krahas Messit, në mesin e favoritëve për ta fituar “Topin e Artë” po konsiderohet edhe sulmuesi i Bayern Munichut, polaku Robert Lewandowski.
“Nuk dua të kem shumë pritshmëri, por do të isha hipokrit nëse do të thosha që nuk mendoj për ta fituar këtë çmim. Është mirë nëse ndodh, por nëse nuk ndodh, nuk do të ankohem. I mbaj këmbët në tokë dhe do të fokusohem në diçka tjetër, tashmë e kam fituar çmimin për lojtarin më të mirë të vitit nga UEFA”, është shprehur Jorginho. “Nuk më takon mua të them nëse duhet të fitoj ‘Topin e Artë’, por do të ishte një nxitje për lojtarët e tjerë, për të treguar se jo vetëm golat merren parasysh për këtë çmim”.
Mesfushori 29-vjeçar ka debutuar me fanellën e Italisë në muajin mars të vitit 2016 dhe deri më tani ai ka regjistruar 40 paraqitje, ku ka shënuar katër gola. Megjithatë, Jorginho ka konfirmuar se në të njëjtin vit që vendosi për Italinë, fillimisht ishte ftuar edhe nga Përfaqësuesja e Brazilit. Mirëpo ai kishte refuzuar thirrjen e Federatës së Futbollit të Brazilit për ta pranuar atë të Italisë, për të cilin insiston se nuk është aspak pishman.
“Brazili u mundua të më bindë në të gjitha mënyrat, por në fund zgjodha Italinë. Nëse nuk do ta zgjidhja Italinë, atëherë nuk do të isha falënderues për këtë shtet në të cilin u bëra futbollist profesionist”, është shprehur Jorginho. “Nuk do të ishte keq ta fitoja edhe Kupën e Botës me Italinë, por nuk mund të nënvlerësohen as titulli i Evropës dhe trofeu i Ligës së Kampionëve. Më duhet të pranoj se synimi është të shpallem edhe kampion bote me Italinë, shpresoj vitin e ardhshëm”.
Megjithatë, Italia ende nuk e ka siguruar kualifikimin për kampionatin botëror “Katari 2022”. Ka 14 pikë, sa edhe Zvicra në Grupin C, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të këtij cikli eliminator. Të premten, Italia luan në Romë kundër Zvicrës, ndërsa të hënën e ardhshme e viziton Irlandën e Veriut.
“Unë jam optimist se do të kualifikohemi në Katar. Ndoshta, nuk do të jemi si favorit në Botërorin e vitit të ardhshëm, por si kampion evropian do të kemi një respekt nga të gjithë kundërshtarët”, është shprehur Jorginho.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.