Kampioni në fuqi i Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli e ka fituar derbin e xhiros së 11 në Superligën e Kosovës. Të mërkurën, Ylli ka triumfuar në kryeqytet ndaj skuadrës së Sigal Prishtinës me rezultatin e ngushtë 72:70.
Për Yllin, kjo është fitorja e nëntë këtë edicion dhe e ngrit në pozitën e parë në tabelë me 20 pikë të mbledhura, dy më shumë se Trepça që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Ndërkohë, Prishtina që regjistroi disfatën e pestë këtë sezon, mbetet e treta në tabelë me 17 pikë të tubuara.
Mikaile Tmushiq e ka udhëhequr Yllin drejt triumfit ndaj Prishtinës, pasi ndeshjen e mbylli me 25 pikë të shënuara. Lojë të mirë te ekipi nga Suhareka, patën edhe Barret Benson që regjistroi “double-double” me 20 pikë e 11 kërcime dhe Brandon Randolph me 16 pikë të shënuara. Te Sigal Prishtina, katër basketbollistë e përfunduan ndeshjen me pikë dyshifrore por më i dalluari ishte Nick Tomsick me 21 pikë, katër asistime e tre kërcime.