Për mesfushorin e kthyer në trajner, Xavi Hernandezin, rikthimi i Barcelonës në rrugën e duhur nuk janë transferimet e lojtarëve të mirë apo taktikat që ai do t’i sjellë.
Çelësi i suksesit për Xavin është vlera e shkollës së vjetër, me të cilën ai është rritur te të rinjtë e “La Masias”.
41-vjeçari Xavi u zyrtarizua si trajner i ri i Barcelonës para pushimit të ndeshjeve të përfaqësueseve, dy javë më parë. E zëvendësoi Ronald Koemanin.
Xavi e ka trashëguar një skuadër që duhet të përshtatet pa Lionel Messin dhe është në vendin e nëntë në elitën e futbollit spanjoll.
Barcelona ka pësuar disa humbje turpëruese në sezonet e fundit, para dhe pas largimit të Messit.
Xavi ishte mjeshtër i mesfushës dhe ndihmoi trajnerët Frank Rijkaard, Pep Guardiola dhe Luis Enrique ta fitojnë Ligën e Kampionëve katër herë.
Xavi ka nevojë që lojtarët e tij të jenë të gatshëm të kontribuojnë në fushë, pavarësisht mungesave, si: Ansu Fati, Ousmane Dembele, Sergio Aguero e Martin Braithëaite.
Barcelona do të luajë në derbin kundër Espanyolit të shtunën në orën 21:00 dhe të martën e pret ndeshje e rëndësishme në Ligën e Kampionëve kundër Benficas.
Barcelona është e pamposhtur nga Espanyoli në 22 ndeshjet e fundit në La Liga nga rivali i qytetit. Ka 17 fitore e pesë barazime.
Hera e fundit kur Espanyoli ka fituar në “Camp Nou” ka qenë shkurti i vitit 2009.
Lideri i La Ligës, Real Sociedadi me 28 pikë, do të ketë punë të vështirë pasi ballafaqohet me Valencian të dielën në orën 21:00.
Gabimin e mundshëm të Sociedadit mund ta shfrytëzojë Real Madridi, që në po të njëjtën ditë udhëton te Granada. Ai duel luhet në orën 16:15.
Kampioni në fuqi i La Ligas, Atletico Madridi, e zhvillon ndeshjen e xhiros së 14 të shtunën në “Wanda Metropolitano”, kundër Osasunas.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.