9 perditesime
21:54

Messi fiton “Topin e Artë” për herë të shtatë

Superylli argjentinas, Lionel Messi është fitues i “Topit të Artë” për vitin 2021.

Për Messin, është çmimi i shtatë i lojtarit më të mirë në botë.

Ceremonia madhështore në të cilën “France Football” ka ndarë çmimin më të vlerësuar individual është mbajtur të hënën mbrëma në Paris.

Messi ka udhëhequr Argjentinën drejt triumfit në Copa America sivjet. Ishte ky suksesi më i madh i tij këtë vit.

Konkurrentin më të madh për çmimin prestigjioz, Messi e kishte sulmuesin polak të Bayernit, Robert Lewandowski. Por “Topi i Artë” i takoi sërish Messit.

Messi e kishte fituar “Topin e Artë” për herë të parë në vitin 2009. E fitoi edhe në vitet 2010, 2011 e 2012. Më i miri në botë u shpall edhe në vitin 2015 e më pas në vitin 2019. Topi i Artë nuk ishte ndarë vjet për shkak të pandemisë.

Tani Messi ka dy trofe më shumë se Cristiano Ronaldo.

Ronaldo trofeun e parë e kishte fituar në vitin 2008, ndërsa të pestin në vitin 2017. Ka pasur shumë që kanë pritur e kanë vlerësuar se Lewandowski e meriton të shpallet më i miri, për shkak të golave të shumtë dhe sukseseve që kishte me Bayernin. Por ai përfundoi i dyti dhe u shpall sulmuesi më i mirë.

Messi aktualisht po luan për PSG-në, ndërsa në pjesën e parë të vitit ishte te Barcelona.

Në nivel klubesh nuk e kishte vitin më të mirë.

 

21:48

Messi e Lewandowski në finale për “Topin e Artë”

Mesfushori francez, N’Golo Kante është renditur i pesti në garën për Topin e Artë. I katërti doli Karim Benzema, ndërsa i treti Jorginho. Kjo do të thotë se Lionel Messi e Robert Lewandowski janë në finalen e madhe për trofeun më të çmuar individual në futboll.

Ndërkohë, Chelsea është shpallur klubi më i mirë i vitit 2021, në ceremoninë “Topi i Artë” në Paris. Chelsea ka fituar Ligën e Kampionëve dhe po udhëheq në Premier League.

21:41

Messi, Lewandowski, Kante, Jorginho e Benzema në listën e ngushtë

Është zvogëluar në pesë lista e kandidatëve për “Topin e Artë”.

Favoritë janë Lionel Messi e Robert Lewandowski, ndërsa pos tyre në pesëshen e parë kanë mbetur edhe N’Golo Kante, Jorginho dhe Karim Benzema.

Ceremonia madhështore është duke u mbajtur në Paris.

21:34

Donnarumma, portieri më i mirë i vitit

Portieri italian Gianluigi Donnarumma është shpallur portieri më i mirë i vitit.

Donnarumma e ka fituar çmimin “Yashin Trophy” duke fituar në konkurrencë me Alisson Beckerin, Manuel Neuerin, Edouard Mendyn e Kasper Schmeichelin.

Donnarumma e fitoi titullin e kampionit të Evropës me Përfaqësuesen e Italisë dhe u shpall lojtari më i mirë i “Euro 2020”.

Pas këtij suksesi, Donnarumma u transferua si lojtar i lirë te Paris Saint-Germaini, si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Milanin.

“Ka qenë një vit i pabesueshëm për mua duke nisur që nga kualifikimi në Champions League me Milanin, triumfi Kampionati Evropian që ishte i jashtëzakonshëm dhe jam pa fjalë për atë çfarë kemi treguar. Më pas kalimi te PSG-ja, jam shumë krenar dhe jam me fat që jam transferuar te kjo skuadër dhe shpresoj t’i shpërblej në fushën e lojës. Shpresoj që të fitoj shumë trofe me këtë fanellë”, ka thënë Donnarumma.

21:32

Ronaldo i gjashti

Superylli portugez, Cristiano Ronaldo ka përfunduar i gjashti në renditjen për Topin e Artë. Në fakt Ronaldo nuk ishte në mesin e favoritëve dhe kjo u konfirmua në ceremoni.

Ronaldo nuk është në ceremoni.

Mohamed Salah është i shtati, ndërsa Kevin De Bruyne i teti. Kylian Mbappe renditet i nënti, ndërsa Gianluigi Donnarumma i dhjeti.

21:19

Putellas e fiton “Topin e Artë” te futbollistet

Sulmuesja e krahut, Alexia Putellas, e ka fituar “Topin e Artë” te femrat.

Kapitenia e Barcelonës ka pasur një vit fantastik me skuadrën spanjolle, me të cilin dominoi tërësisht sezonin e shkuar.

Putellas e ka mbyllur sezonin e shkuar duke e fituar “tripletën” në futbollin e femrave.

Ajo me Barcelonën, e ka fituar titullin e Kupën e Spanjës, si dhe trofeun e Ligës së Kampionëve.

Trofeun futbollistes spanjolle ia dorëzoi sulmuesi i PSG-së, Kylian Mbappe.

21:03

Lewandowski shpallet sulmuesi i vitit

Robert Lewandowski është shpallur sulmuesi më i mirë i vitit në ceremoninë gala që po mbahet në Paris.

Lewandowski ka pasur një vit të jashtëzakonshëm, ku ka shënuar 42 gola sezonin e shkuar me Bayernin duke thyer rekordin e Gerd Muellerit.

Lewandowski çmimin për sulmuesin më të mirë të vitit e ka pranuar nga ish-sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba.

“Dua të them që jam shumë krenar që pas dy vitesh pandemi arri të fitoj këtë trofe. Është kënaqësi që jam këtu dua të falënderoj bashkëlojtarët e mi të cilët më kanë ndihmuar të arrijë një gjë të tillë. Pa ndihmën e tyre nuk do të kisha qenë këtu dhe sigurisht që jam i lumtur”, ka thënë Lewandowski që këtë vit ka realizuar 60 gola.

20:51

Pedri shpallet lojtari më i mirë i ri

Mesfushori i Barcelonës, Pedri është shpallur lojtari më i mirë i ri i vitit.

Reprezentuesi i Spanjës ka pasur një vit të jashtëzakonshëm, pasi arriti me Spanjën deri në gjysmëfinale të “Euro 2020” dhe finale të Lojërave Olimpike të Tokios.

Pedri ka marrë më së shumti vota për këtë çmim, ku në konkurrencë ka pasur Jude Bellinghamin, Nuno Mendesin, Jamal Musialan.

“Mënyra më e mirë për ta festuar ditëlindjen është ta fitoj këtë çmim. Dua të falënderoj të gjithë bashkëlojtarët, si te Barcelona ashtu dhe te Spanja. Falënderojë familjen time që më kanë mbështetur deri më tani dhe kanë pasur besim”, ka thënë Pedri pasi pranoi trofeun.

20:35

“Topi i Artë” arrin në mënyrë speciale në ceremoni

Ceremonia e madhe për “Topin e Artë” ka mbledhur lojtarët më të mirë të këtij viti.

Trofeu i çmuar, që do t’i jepet lojtarit më të mirë të vitit, ka arritur në ceremoninë që po mbahet në Paris në mënyrë të veçantë.

Ai është futur në një makinë luksoze, e cila e ka sjellë në këtë ceremoni gala.

20:27

Messi e Lewandowski në sallën ku mbahet ceremonia “Topi i Artë”

Lionel Messi e Robert Lewandowski tashmë janë në sallën ku mbahet ceremonia “Topi i Artë”.

“France Football” prej orës 20:30 shpall lojtarin më të mirë të vitit, në Paris.

Messi e Lewandowski vlerësohen kandidatët kryesorë për çmimin individual më të vlerësuar në futboll.