Ylli argjentinas është shprehur tejet i emocionuar që e fitoi “Topin e Artë” për herë të shtatë në karrierë, duke vendosur rekord.
Sulmuesi i Paris Saint-Germainit, tha se ka qenë një vit i vështirë për shkak të pandemisë, por triumfi me Përfaqësuesen e Argjentinës në Copa America, ia mundësoi këtë trofe tejet të çmuar të futbollit botëror.
“Nuk është se e kam pasur një periudhë të lehtë, pasi ishte periudha e pandemisë dhe shumë gjëra tjera, unë tani jam në Paris. Jam shumë i lumtur për këtë çmim dhe tejet i emocionuar. Falënderoj të gjithë që më kanë votuar dhe ndihmuar të jem më i miri për herën e shtatë. Po ashtu, i falënderoj të gjithë shokët e skuadrës të Argjentinës, me të cilët triumfuam në Copa America, po ashtu familjen time që më ka përkrahur”, është shprehur Messi. “Vit pas viti vazhdoj të ndjek ëndrrën e njëjtë, të vazhdoj të fitoj, por kjo nuk është e lehtë gjithmonë në nivelet e larta. Ky çmim po besoj që është për shkak të triumfit në Copa America. Besoj se Lewandowski e meritonte këtë çmim, pasi pati një vit të jashtëzakonshëm dhe shpresoj që ta marrë në të ardhmen”.