3 perditesime
17:55

Kosova pëson në Prishtinë nga Shqipëria

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave, e ka humbur edhe ndeshjen e dytë gjatë këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2023.

Pas humbjes nga Polonia (2:1) javën e shkuar, Kosova u mposht të martën edhe nga Shqipëria.

Dueli i luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” ka përfunduar me rezultatin 3:1 në të mirë të Shqipërisë. Kristina Maksuti (19’), Megi Doçi (45’) dhe Qëndresa Krasniqi (84’) shënuan golat për Shqipërinë, ndërsa golin e nderit për Kosovën në këtë takim e realizoi sulmuesja Kaltrina Biçkaj në minutën e 48-të të pjesës së parë. Për Kosovën, kjo është humbja e katërt në këto kualifikime pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara, ku ka regjistruar edhe një fitore e një barazim.

Me këtë disfatë, Kosova bie në pozitën e parafundit në Grupin F me katër pikë, tri më pak se Shqipëria që ngrihet në pozitën e katërt. Duelin e radhës në këto kualifikime, Kosova e luan në prill të muajit të ardhshëm, në udhëtim te Norvegjia.

17:46

Krasniqi rikthen epërsinë e Shqipërisë prej dy golave

Futbollistet e Shqipërisë kanë shënuar edhe golin e tretë në ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2023 kundër Kosovës, që po zhvillohet në Prishtinë dhe i takon Grupit F.

Golin e tretë për Shqipërinë, e realizoi mesfushorja Qëndresa Krasniqi që ishte prej më të dalluarave në fushë.

Krasniqi shënoi në minutën e 84-t me një gjuajtje prej rreth 18 metrave për rezultatin 3:1.

16:56

Kosova në disavantazh pas pjesës së parë

Futbollistet e Kosovës janë në disavantazh prej një gol në ndeshjen ndaj Shqipërisë pas pjesës së parë.

Ndeshja që po luhet në Prishtinë, i takon Grupit F të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2023. Rezultati pas pjesës së parë është 2:1 për Shqipërinë.

Golin e vetëm për Kosovën në këtë takim, e realizoi sulmuesja Kaltrina Biçkaj në minutat shtesë duke shënuar një gol fantastik prej rreth 20 metrave. Shqipëria dy golat i shënoi me anë të kapitenes Megi Doçi (45’) dhe Kristina Maksutit (19’). Shqipëria ka lëshuar edhe një rast të mirë gjatë pjesës së parë, pasi në minutën e 40-të, gjuajtjen e Qëndresa Krasniqit e priti portieria Florentina Kolgeci.

16:25

Shqipëria në epërsi ndaj Kosovës

Futbollistet e Shqipërisë kanë kaluar në epërsi ndaj Kosovës në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2023.

Kristina Maksuti në minutën e 19-të, ka zhbllokuar rezultatin në ndeshjen e Grupit F, që po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Maksuti shënoi nga afërsia, pasi mori top nga Qëndresa Krasniqi që depërtoi nga krahu i majtë.