2 perditesime
18:56

Feronikeli në krizë, eliminohet edhe nga Kupa

Florim Maliqaj

Të mërkurën janë zhvilluar 11 ndeshje të rrethit të dytë të Kupës së Kosovës në futboll. Për befasinë e këtij raundi është përkujdesur skuadra e Ligës së Parë, Fusha-Kosova, që e ka eliminuar ish-fituesin e Kupës, Feronikeli. Skuadra e Niklit e ka fituar tri herë këtë garë, ndërsa kjo ishte hera e parë që eliminohet kaq herët që nga pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA. Fusha-Kosova e mposhti Feronikelin me rezultatin 4:1 pas penalltive, në ndeshjen që është luajtur të mërkurën në fushën me bar sintetik në Drenas. Koha e rregullt dhe vazhdimet janë mbyllur pa gola, kurse nga penalltia më të saktë janë treguar mysafirët që kanë avancuar tutje. Ky eliminim i Feronikelit në këtë fazë kaq të hershme vjen pas krizës që po kalon klubi edhe në kampionat.

Pas 16 xhirove të luajtura ekipi nga Drenasi renditet në pozitën e fundit me dhjetë pikë të mbledhura. Ka pësuar shtatë humbje të njëpasnjëshme, kurse ndaj Fushë-Kosovës ishte e teta rresht. Krizën e Niklit e ka pranuar edhe trajneri Faruk Elshani. Ai ka thënë për KOHËN se në skuadër ka vetëm 16 lojtarë dhe, sipas tij, kjo po i kushton shumë Feronikelit.

“Sigurisht ky eliminim vjen edhe si rezultat i formës jo të mirë që e kemi në kampionat. Ne kemi vetëm 16 lojtarë në skuadër. Çdo mungesë është shumë e madhe dhe vërehet shumë. Fondi i vogël i lojtarëve na ka kushtuar. Po ashtu, ka edhe probleme tjera që janë në klub. Shpresojmë që në janar të kemi të drejtë të regjistrojmë lojtarë. Na duhen 5-6 lojtarë që të mund të luftojmë deri në fund. Ne nuk jemi dorëzuar dhe do të japim maksimumin deri në fund”, u shpreh Elshani. “Luajtëm në fushë sintetike për shkak se fusha ishte rënduar në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ për shkak të reshjeve të shiut dhe borës. Po ashtu, u munduam që t’i përshtatemi kundërshtarit të radhës në Superligë, që është Ulpiana”

Ai mendon se ekipi i tij e ka merituar që të kualifikohet tutje në Kupën e Kosovës, bazuar në lojën që e ka shfaqur. Sipas tij, penalltitë janë fat.

“Nuk e kemi pritur që të eliminohemi në këtë fazë. Ishim përgatitur për këtë ndeshje dhe hymë për fitore, por edhe për t’u kualifikuar në rrethin tjetër. Lojtarët u angazhuan dhe dhanë maksimumin. Ne e dominuam ndeshjen, ishim më të mirë, por që kundërshtari u mbrojt mjaftë mirë. Pastaj humbëm në penallti. Penalltitë janë edhe fat dhe kështu ne u eliminuam nga Kupa. Kishim edhe disa mungesa”, tha Elshani duke thënë se edhe në këtë takim i mungoi kapiteni Lapidar Lladrovci.

Feronikeli është ekipi i vetëm i Superligës që është eliminuar në rrethin e dytë të Kupës. Tutje kanë kaluar skuadrat favorite. Llapi si fitues në fuqi i Kupës e ka mposhtur Vitinë me vështirësi 2:1. Bianor Neto (6') dhe Kastriot Selmani (83’) nga penalltia shënuan golat e fitores për llapjanët. Në raundin e tretë të Kupës së Kosovës është kualifikuar edhe Prishtina, e cila e ka mposhtur Besën si mysafire me rezultat të thellë 4:0. Dy gola i shënoi Otto John, kurse nga një e shënuan Endrit Krasniqi dhe Sabien Lilaj. John u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë. Tutje ka kaluar edhe Ballkani. Suharekasit kanë shënuar fitore kundër Rahovecit me rezultatin 3:1. Astrit Thaqi, Edvin Kuç dhe Albion Rrahmani shënuan golat e triumfit. Ndërkohë goli i Elton Cales ia ka siguruar kualifikimin edhe Gjilanit që fitoi 1:0 në udhëtim tek ekipi nga Prizreni, A&N. Me rezultatin identik ka fituar edhe Malisheva ndaj Istogut, falë golit të shënuar nga Ronald Sobowale.

Në 1/16 e finales është eliminuar edhe Trepça ’89, e cila është mposhtur në shtëpi nga 2 Korriku me rezultatin 4:3 pas penalltive. Ndërkohë Ramiz Sadiku e ka eliminuar Vushtrrinë 2:1 pas vazhdimeve. Koha e rregullt është mbyllur 1:1. Drenica u ka dhënë fund humbjeve, pasi mposhti 3:1 Vllazninë e Pozheranit 3:1 dhe është kualifikuar në rrethin e tretë. Ulpiana triumfoi 3:0 ndaj Vëllaznimit, ndërsa Onixi ka fituar si mysafir i Prizrenit (5:1).

Të enjten do të luhen edhe pesë ndeshjet e fundit të kësaj faze që nisin në orën 12:30: Liria – Dukagjini, Drita – Drenasi, Arbëria – Vitia, KEK-u – Trepça dhe Flamurtari – Ferizaj.

15:34

Feronikeli eliminohet nga Kupa

Ish-fituesi i Kupës së Kosovës, Feronikeli është eliminuar nga kjo garë të mërkurën. Nikli në kuadër të rrethit të dytë, është mposhtur nga Fushë Kosova me rezultatin 4:1 pas penalltive.

Koha e rregullt dhe vazhdimet, kanë përfunduar pa gola. Nikli është ekipi i vetëm i Superligës së Kosovës në futboll që është eliminuar në rrethin e dytë. Fushë Kosova bën gara në Ligën e Parë të Kosovës.

Krahas eliminimit nga Kupa, Nikli ka rezultate të dobëta edhe në Superligë, ku zë vendin e fundit në tabelë. Me penallti në raundin tjetër ka kaluar edhe skuadra e 2 Korrikut që ka mposhtur në udhëtim Trepçën ’89 me rezultatin 4:3.

Ndërkohë, Ramiz Sadiku ka triumfuar në shtëpi ndaj Vushtrrisë 2:1 pas vazhdimeve pasi koha e rregullt e ndeshjes ka përfunduar 1:1.

14:32

Përfundojnë ndeshjet e rrethit të dytë të Kupës, Feronikeli në vazhdime

Skuadra e Prishtinës ka shënuar fitoren me të thellë në kuadër të rrethit të dytë të Kupës së Kosovës në futboll. Prishtina, të mërkurën ka triumfuar në udhëtim te skuadra e Besës së Pejës me rezultatin 4:0 për të avancuar në rrethin tjetër të kësaj gare.

E krahas Prishtinës, të mërkurën në raundin tjetër janë kualifikuar edhe skuadrat tjera të elitës së futbollit kosovar. Fituesi në fuqi i Kupës së Kosovës, Llapi ka triumfuar në shtëpi kundër skuadrës së Kikës (2:1).

Lideri aktual i Superligës, Ballkani e ka mposhtur Rahovecin me rezultatin 3:1 derisa Gjilanit i ka mjaftuar fitorja minimale 1:0 në udhëtim ndaj ekipit nga Prizreni, A&N.

Ulpiana ka triumfuar 3:0 ndaj Vëllaznimit, për të vazhduar me rezultatet tjera: Malisheva – Istogu 1:0, Prizreni – Onixi 1:5. Tri ndeshje janë shkuar në vazhdime, pasi nuk kishte fitues pas 90-të minutave. Feronikeli – Fushë Kosova (0:0), Ramiz Sadiku – Vushtrria (1:1) dhe Trepça ’89 – 2 Korriku (2:2).