Sport

Conte, i bindur që Kane do të fillojë me gola

Foto: AP
 

Trajneri i skuadrës së Tottenhamit, Antonio Conte, është i sigurt se sulmuesi Harry Kane është gati t'i japë fund shterpësisë së tij për gola në Premier League. Kane e ka gjetur rrjetën vetëm një herë në 12 ndeshje të ligës gjatë edicionit aktual, ndërsa po përpiqet të rikthehet në formën që e bëri golashënuesin kryesor të ligës angleze edicionin e kaluar.

Kapiteni i Anglisë, i cili ka fituar “Këpucën e Artë” në tri nga gjashtë vjetët e fundit, është dukur një hije këtë sezon. Saktësisht që nga përpjekja e tij e dështuar për të detyruar Tottenhamin që ta lejojë të transferohet te kampioni në fuqi, Manchester City, para fillimit të këtij edicioni. 28-vjeçari ka pranuar se ndihej i lodhur mendërisht dhe fizikisht pas humbjes së Përfaqësueses së Anglisë në finalen e “Euro 2020” nga Italia, në muajin korrik. Ai nuk arriti të shënonte në fitoren 2:0 të Tottenhamit kundër Brentfordit të enjten, duke humbur një mundësi të artë në pjesën e dytë. Por, Conte është i bindur se Kane do të kthehet së shpejti në rrugën e duhur. Madje, trajneri italian ka thënë të premten se ka besim të madh te Kane.