1 perditesime
23:16

Kuka: Majlinda mes 5 më të mëdhenjve të të gjitha kohërave në botën e xhudos

Trajneri Driton Kuka, ndihet krenar me rezultatet e Majlinda Kelmendit. Në një intervistë në Interaktiv, ai tha se nuk do të ndryshonte asnjë pikë në karrierën e lavdishme të Majlindës, që tashmë është pensionuar nga sporti aktiv dhe po i asiston Kukës në stërvitje si trajnere.

“Padyshim, Majlinda është mes 5 më të mëdhenjve të të gjitha kohërave në sportin e xhudos. Po të mos ishin lëndimet, ajo sot do të ishte kampione edhe nga Tokio dhe në Paris më 2024, me shumë gjasë. Ajo ishte barrierë për superfuqitë e xhudos, për Japoninë, Rusinë, Brazilin e Francën. Për pesë vjet dominoi tërësisht, por më pas erdhën lëndimet”, tha Kuka për Majlindën.

Ai tregoi edhe për punën e madhe që ka bërë Majlinda në stërvitje. Sipas tij, shpesh është dashur të ndalet stërvitja e saj nga frika mos po ndodh ndonjë gjë nga ngarkesa e madhe.

“Ajo ishte shembull, e atë shembull e ndoqën edhe Nora Gjakova, Distria Krasniqi, më pas edhe Akil Gjakova e Loriana Kuka”, shtoi ai.


Kuka kërkon të futet xhudoja në shkolla

Trajneri i xhudos Driton Kuka, thotë se për të vazhduar sukseset e xhudos për kohë të gjatë, duhet të futet sporti i xhudos në sistemin e edukimit.

Ai ka thënë se për këtë ka biseduar dhe do të ketë takim me Ministrinë e Sportit dhe atë të Arsimit.

“Do të kishim kështu bazë të madhe, do të ishte sikur kopsht i talenteve që më pas filtrohen në klube e prej klubeve në qendrën nacionale, e ku së shpejti do të shohim të ndërtojmë akademi të sportit të xhudos, ku do të vinin nxënësit që e kryejnë shkollën fillore e ta vazhdojnë shkollimin tutje në Pejë, të mundësohet me orar më të shkurtuar, të ndërtohen paralele sportive në gjimnaze, që talentet e sportit të stërvisin si duhet”, ka thënë Kuka në Interaktiv të KTV-së.

Kuka ka treguar se xhudo ka potencial për të fituar medalja edhe medalje tjera olimpike.

“Vet fakti se Nora Gjakova e Distria Krasniqi vazhdojnë tutje, po ashtu Akil Gjakova e Loriana Kuka kanë potencial të dëshmuar. Akili është kampion i Evropës, ndërsa Loriana ka medalje të bronztë botërore. Nëse shohim medaljet botërore e kam kaluar shifrën pesë. Vetëm Majlinda ka tri medalje, Nora ka medalje botërore, Distria ka medalje botërore, Loriana ka medalje botërore. Potencial kanë. Për grupmoshat e reja, i kemi dy sportiste që kanë fituar medalje botërore për të reja. Erza e ka fituar medaljen e parë dhe të vetme të Lojërave Olimpike për të rinj në vitin 2018. Krahas tyre janë garues të rinj si Shpat Zeka, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi. Ka numër të garuesve që kanë potencial e prej të cilëve në të ardhmen mund të pritet të vazhdojnë ritmin e fitoreve në Lojërat Olimpike”, ka deklaruar Kuka.

Kuka ka treguar se pandemia ka ndikuar në numrin e të rinjve që po merren me xhudo.

“Para fillimit të pandemisë i kishim 400-500 fëmijë që po stërvisnin në seksione e grupe në klub të xhudos Ippon. Pandemia na shkaktoi probleme të shumta. Ka interesim jashtëzakonisht të madh, besoj se pas përfundimit të pandemisë, me realizimin e gjitha këtyre projekteve për futjen e xhudos në sistem edukativ e me klubet duke intensifikuar punën, do të kemi shtet që sporti i xhudos do të na bëjë krenar me rezultate. Shteti të na mundësojë të gjejmë talente ku janë e ku s’janë. Rrugën e dimë, është këtu në Kosovë, në këtë qytet tonë. Po të kemi në dorë talente e fëmijë të mirë, nuk dyshoj se kemi shumë, duhet sjellë e identifikuar ata, atëherë Kosova nuk ka pse të frikësohet”, ka thënë Kuka.


Kuka: Majlinda kishte oferta milionëshe për ta ndërruar shtetësinë

Trajneri i xhudos Driton Kuka ka treguar se Majlinda Kelmendi ka pasur oferta milionëshe për ta ndërruar shtetësinë, porse kjo asnjëherë nuk ishte opsion.

Kuka ka thënë se Majlinda ka fituar diçka që nuk blihet me para.

“Ofertat kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha, kemi të bëjmë me oferta milionëshe që janë dhënë për të ndërruar shtetësinë. Kam qenë kundër kësaj gjithmonë, nuk e mendoj as paramendoj që këta tituj të Majlindës të shkonin për një shtet tjetër. Ndoshta në nervoza në një kohë kur pak na është dhënë hapësirë, kur është përkrahur më pak xhudo, para 10-12 vjetëve po flas, kam mundur të flas, por në këto 10-12 vjetët e fundit përkrahja ka qenë dhe është rritur në vazhdimësi”, ka thënë Kuka në Interaktiv të KTV-së. “Jam i kënaqur me legjislacionin e sportit që ekziston dhe gjithçka ka shkuar në rregull. Në Kosovë nuk mundesh me pretendu që prej një sporti si xhudo me fitu miliona. Majlinda ka fituar diçka tjetër në Kosovë, diçka që nuk blihet me para, po mendoj se në asnjë moment, as unë, as familja e saj dhe askush, nuk duhet të jetë pishman që janë refuzuar miliona për të qëndruar në Kosovë. Në Kosovë, Majlinda gjithmonë do të mbetet heroinë. Ajo që ka Majlinda sot nuk matet me mjete materiale”.

Kuka ka thënë se në të kaluarën sporti në Kosovë nuk ishte prioritet. Ai ka thënë se sistemi në të kaluarën në Kosovë nuk ishte i mirë, dhe se u desh 10 vjet për t’u ndërruar mënyra. Ai thotë se me kategorizimin e sporteve është tash diçka tjetër.

“Nuk kemi të bëjmë më me situata ku sportistët e rinj duhet të kenë probleme financiare. Sa i përket gjeneratave të reja e talenteve përkrahja nuk mungon. Ajo që mungon është serioziteti në federata e klube, tash kushtet për sportistët e rinj, talentet e sportistët elitarë janë, janë në nivel me shumë shtete që e kanë sportin e zhvilluar”, ka thënë Kuka.

 

23:09

Kuka: Po të mos ishin lëndimet Majlinda do ta dominonte xhudon edhe 4-5 vjet

Trajneri i xhudos Driton Kuka ka thënë se lëndimet e kanë shtyrë ikonën e sportit Majlinda Kelmendin që të tërhiqet nga xhudo.

Kuka ka thënë se Majlinda shkaku i lëndimeve të shumta në dy-tri vjetët e fundit kishte menduar të tërhiqej nga xhudo qysh para Lojërave Olimpike, porse ai e kishte bindur të vazhdonte e të përjetonte edhe një Olimpiadë. Kuka në Interaktiv ka thënë se po të mos ishin lëndimet atëherë Majlinda do të dominonte xhudon edhe 4-5 vjet.

“Faktikisht Majlinda është tërhequr shkaku i lëndimeve. Ka pasur dy-tri vitet e fundit lëndime të njëpasnjëshme, këto e kanë shtyrë me menduar edhe para Lojërave Olimpike që të mos garojë. Ajo ishte pak më këmbëngulëse, kam tentuar unë ta shtyjë ta përjetojë edhe një Olimpiadë. Mosha e saj dhe performanca e saj po të mos kishte lëndime, Majlinda do ta dominonte xhudon edhe 4-5 vjet”, ka thënë Kuka në Interaktiv të KTV-së. “Potenciali e mënyra se si ka bërë gara në sportin e xhudos është temë diskutimi në të gjitha federatat në botën e xhudos. Stërvitjet e saj kanë qenë të stilit spartan 4-8 orë në ditë”.

Kuka ka thënë se Majlinda ka bërë që xhudoja e femrave të ketë shikueshmëri të njëjtë me atë të meshkujve. Ai thotë se pa dal Majlinda në skenë nuk ishte ashtu.

Ai ka shtuar se për një trajner është e vështirë të shohë tërheqjen e një sportiste si Majlinda.

“Koha fluturon shumë shpejt. Ende më duket se e shoh si një fëmijë kur ka filluar të ecë në tatami të xhudos”, ka thënë Kuka.