Sport

Rangnicku angazhon psikolog sportiv për t’i ndihmuar lojtarët e Unitedit

Foto: AP
 

Ralf Rangnick njoftoi të martën se Manchester Unitedi tashmë ka angazhuar një psikolog sportiv, të cilin e ka kërkuar personalisht për t’u siguruar që lojtarët e tij “të mendojnë në mënyrën e duhur”. Gjermani 63-vjeçar, i cili është emëruar trajner i përkohshëm i Unitedit deri në fund të sezonit, e nisi aventurën e tij në “Old Trafford” në mënyrën më të mirë të mundshme – me fitore 1:0 ndaj Crystal Palacet të dielën e shkuar.

Rangnick ka konfirmuar se Chris Armas, ish-menaxheri i skuadrës nga MLS-ja, New York Red Bulls dhe Toronto FC, do t'i bashkohet te Unitedi si ndihmës, me Sascha Lensen që do të vijë si psikolog sportiv i klubit. Rangnick thotë se angazhimi i psikologut sportiv ka qenë i domosdoshëm dhe për këtë i kishte paralajmëruar krerët e Unitedit në fillim të negociatave. Ai në krye të ekipit anglez e ka zëvendësuar Ole Gunnar Solskjaerin e shkarkuar për shkak të rezultateve të dobëta, dhe nuk dëshiron që të përjetojë një përvojë të tillë gjatë këtij edicioni.