Carlo Ancelotti ka theksuar se Real Madridi ende nuk e ka fituar titullin, por një fitore e mundshme të dielën në orën 21:00 kundër Atletico Madridit në xhiron e 17-të, mund ta afrojë shumë drejt këtij qëllimi.
Reali ka 10 pikë më shumë se Atletico para derbit të Madridit që luhet në “Santiago Bernabeu”, dhe distanca e pikëve mund të rritet edhe më shumë.
Atletico, megjithatë, e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Do të luajë kundër Granadas më 22 dhjetor.
Skuadra e udhëhequr nga Diego Simeone ia ka vështirësuar punët vetes duke lëshuar pikë ndaj skuadrave të pjesës së poshtme të tabelës. Ndërkohë, në xhiron tjetër përballë do ta ketë edhe Sevillan që është në vendin e dytë me 31 pikë, tetë më pak se Reali lider.
Në fakt, Sevilla dhe Real Betisi janë afër me pikë. Edhe Sevilla e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Do të luajë në shtëpi kundër Barcelonës më 21 dhjetor.
Real Madridi me Ancelottin është në formë tejet të mirë. Pasi fitoi 2:1 në udhëtim te Barça, e nisi serinë e 11-të ndeshjeve pa disfata në të gjitha garat, përfshirë 10-të fitore. Ka pranuar vetëm gjashtë gola në këtë periudhë.
Përveç Benzemas së rrezikshëm, njeriu në formë te ky ekip është 21-vjeçari Vinicius Junior, që është përshtatur shumë mirë me Ferland Mendyn në krahun e majtë. Me mbrojtësin në fushë, madrilenët nuk e kanë humbur asnjë ndeshje sivjet.
Do të jetë derbi numër 169-të i Madridit. 89 fitore i ka Reali, 39 fitore i kanë takuar Atleticos, derisa 40 ndeshje janë mbyllur baras.
Barcelona në këtë fundjavë do të luajë të dielën po ashtu, por në orën 16:15 në udhëtim te Osasuna.
“Blaugrana” do të mundohet ta harrojë sa më shpejtë zhgënjimin në Ligën e Kampionëve.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.