Sport

Zbulohet mesazhi i Hamiltonit ku thotë se gara në Abu Dhabi ishte e manipuluar

 

Ngasësi i bolidit të Mercedesit, Lewis Hamilton, ka mbetur tejet i zhgënjyer që nuk e fitoi titullin e kampionit në Formula 1, të cilin ia rrëmbeu nga dora Max Verstappeni i Red Bullit në garën e fundit. Hamilton tha përmes radios së ekipit të tij në fund të Çmimit të Madh të Abu Dhabit se gara ishte “e manipuluar”. Britaniku Hamilton ishte zemërgjerë në intervistat e tij pas garës, e cila përfundoi në një stil të diskutueshëm pas një periudhe të makinës së sigurisë që u fut në garë. Por, në xhiron e fundit, pasi rivali Max Verstappen e kishte kaluar atë, Hamilton tha: “Kjo është manipuluar, o njeri”.

Skuderia e ka paraqitur menjëherë një ankesë mbi trajtimin e garës. Në fakt, Mercedesi bëri dy ankesa të dielën mbrëma, por që të dyja u refuzuan nga zyrtarët e garës. Tani, ata po shqyrtojnë nëse do të apelojnë kundër vendimit për të mbështetur trajtimin e garës së rifilluar nga drejtori i garës, Michael Masi, i cili dukej se ishte në kundërshtim me rregullat dhe protokollet standarde të organit drejtues. Mercedesi ka 96 orë nga dhënia e njoftimit për qëllimin për të apeluar - deri rreth orës 19:00 të enjten - për të vendosur nëse do të vazhdojë këtë procedurë. Mercedesi tha të hënën se ata ende po vlerësojnë të gjitha opsionet dhe nuk kanë marrë një vendim të prerë në lidhje me ankesën e fundit. Ekipi nuk ka komentuar publikisht për ngjarjet në shtegun “Yas Marina”, por ka një ndjenjë padrejtësie për atë që ndodhi. Kjo i drejtohet menaxhimit të garës, dhe jo Verstappenit apo Red Bullit.