Është e pabesueshme të bësh krahasim me ikonën e futbollit të Zvicrës, Alexander Frei. Por Kastriot Imeri e ka kaluar legjendën e futbollit helvetik. Në vitin 2002, Frei ishte i fundit që shënoi në katër ndeshje radhazi për Servetten. Imeri ia ka thyer rekordin duke u bërë lojtari që ka shënuar pesë gola rresht nga fundi i tetorit deri në fillim të këtij muaji.
Ai pati një paraqitje të madhe në fitoren kundër Young Boys 2:1. Imeri i shënoi dy golat e fitores. “Unë nuk kam një recetë për golat, është thjesht punë e vështirë”, ka thënë Imeri të mërkurën për gazetën zvicerane “Blick”.
Lojtari i fazës ofensive i rritur në Gjenevë është zhvilluar te Servette, ndërsa në vitin 2017 debutoi në ekipin e parë. Këtë edicion në 17 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar tetë gola dhe ka asistuar dy herë. Ai ka luajtur në ekipet zingjirë të Zvicrës, ndërsa debutoi për ekipin “A” të shtetit helvetik kundër Italisë më 12 nëntor të këtij viti, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”. Luajti 21 minuta në skuadrën e selektorit zviceran, murat Yakin. Ai është potencial për t’u ftuar edhe në Botërorin që mbahet vitin tjetër.
“E kisha ëndërruar gjithë jetën. Ishte e mrekullueshme dhe më dha një shtysë tjetër”, ka theksuar mesfushori, të cilin kapiteni i Zvicrës, kosovari Granit Xhaka e cilëson si “modelin e tij të madh”.
Imeri ka theksuar se është i kënaqur me paraqitjet e tij te skuadra e Servettes këtë edicion.
“Javët e fundit kanë qenë javët më emocionale të karrierës time”, ka thënë Imeri.
Ai po bëhet gjithnjë e më shumë i rëndësishëm për skuadrën e tij. Por ai insiston se është ende duke mësuar.
“Unë jam ende duke mësuar shumë. Çdo ditë. Në çdo stërvitje. Imeri e cilëson ish-futbollistin e Manchester Cityt, Gawl Clichy si “vëlla të madh”.
“Ai ka pasur një karrierë të madhe. Unë flas me të shumë shpesh dhe e marr shumë me vete”, është shprehur ai.
Imeri ëndërron që në të ardhmen të luaj në një klub të madh. Por, tani thotë se është i fokusuar te Servette.
“Jam i fokusuar te paraqitjet e mia me klubin aktual, por sigurisht se synimi është që në një të ardhme të luaj në një klub të madh”, ka thënë Imeri.
Imeri me skuadrën elitare të Zvicrës ka kontratë deri në qershor të vitit 2023.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.