Sport

Nora e Distria më të mirat e vitit, Akili sportisti më i mirë

Foto: Driton Paqarada/KOHA
 

Suksesin që Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova e arritën verën e këtij viti në Lojërat Olimpike në Tokio, është vështirë të përshkruhet me fjalë. Gëzimi ishte i njëjtë për dy medaljet e arta të fituara nga xhudistet e klubit “Ippon” të Pejës. Suksesi i arritur në Tokio për një vend me më pak se dy milionë banorë, është bilanc i çmuar. Prandaj edhe është vendosur me pajtueshmëri të plotë dhe të padiskutueshme që çmimin “Sportistja më e mirë e vitit 2021” ta ndajnë dy xhudistet e arta të Kosovës, në edicionin e 23-të të manifestimit “Sportisti i Vitit” të Grupit KOHA. Epiteti i më të mirit në konkurrencën e meshkujve nga KOHA i takoi xhudistit Akil Gjakova. Për udhëheqjen e suksesit të fundit dhe të viteve të kaluara, merita të mëdha ka trajneri Driton Kuka. E Kuka u nderua me mirënjohje për vepër jetësore nga KOHA.

KOHA, përkatësisht gazeta “Koha Ditore”, ka shpërblyer sportistin më të mirë të vitit për herë të parë në vitin 1997. Dhe, qëllimi ishte që për suksesin e tyre të shpërbleheshin edhe xhudistët. Distria Krasniqi, që kishte një vit të jashtëzakonshëm, është shpallur edhe xhudistja më e mirë e vitit 2021 në botë. “Female Judoka of the Year” quhet çmimi që e ka fituar kampionia olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë. Të jashtëzakonshëm e kishte vitin edhe Nora Gjakova.