Skuadra e Interit është kthyer fuqishëm në garën për titullin e kampionit në Serie A. Si kampion në fuqi, Interi e ka mbyllur stinorin vjeshtor në pozitën e parë në tabelë, duke lënë prapa rivalët në këtë garë.
Nën drejtimin e Antonio Contes, Interi theu pothuajse një dekadë dominimi të Juventusit, kur e fitoi titullin e 19-të në Itali edicionin e kaluar. Pas një vere të trazuar ka arritur të jetë i parI në tabelë për Krishtlindje.
Me figurat kyç në atë triumf, Romelu Lukaku, Achraf Hakimi dhe Conte, të larguar, dhe Christian Eriksenin që zyrtarisht më nuk është lojtar i Serie A, pakkush ka pritur që Interi të vazhdonte fuqishëm nën drejtimin e trajnerit të ri, Simone Inzaghi. Rikthimi i Massimiliano Allegrit në Juventus shihej si shenjë që ekipi nga Torino po synonte ta kthente titullin. Megjithatë, Cristiano Ronaldo më pas iku në Angli dhe në mungesë të golave të superyllit portugez u zbuluan të metat e dukshme në skuadrën torineze. Tani Juventusi zë vendin e pestë në tabelë me 12 pikë më pak se Interi.
Duke marrë për bazë cilësinë dhe paraqitjet, pozita aktuale realisht është më e mira për Juventusin, i cili po shpreson që deri në fund të edicionit të sigurojë një vend që garanton pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për edicionin tjetër.
Ndërkohë, ai që dukej si një grup skuadrash pretendentesh që kërkonte shansin për lavdi në Serie A, ka filluar të zhduket pikërisht në momentin që Interi ndezi motorët.
Dy javë më parë katër pikë ishin gjithçka që i ndante liderët e atëhershëm Milanin, Interin, Napolin dhe Atalantan, por humbjet në shtëpi ndaj Empolit dhe Spezias e kanë lënë Napolin shtatë pikë larg vendit të parë. Napoli është i treti me një pikë më shumë se Atalanta, që është e katërta. Shtatë fitore radhazi për Interin, me rezultatin e përgjithshëm 20:2, e bën atë favorit, me trajnerin e Milanit, Stefano Piolin që pranoi një gjë të tillë.
“Edhe pse gara është e hapur, sepse ka edhe shumë ndeshje deri në fund, më duhet të pranoj se e shoh Interin favorit”, ka thënë Pioli.
Larg fushës, në Serie A ka pasur skandale të zakonshme. Një nga sekretet më të këqija të futbollit - fitimet e dyshuara kapitale nga transferimet e përdorura për të balancuar librat – nisi të dalë në dritë kur policia financiare bastisi zyrat e Juventusit.
Ky hetim i kryer nga prokurorët në Torino është më seriozi. Duke u hetuar janë drejtorët kryesorë të Juventusit, për falsifikim të llogarive në një kompani publike tregtare. Praktika të ngjashme tek Interi po shikohen nga prokurorët, ndërkohë që Federata e Futbollit e Italisë po shqyrton dhjetëra transferime që përfshijnë klube në të gjithë kampionatin.
Një kujtesë se pandemia COVID-19 nuk është zhdukur erdhi të hënën kur autoritetet shëndetësore në Salerno ndaluan ekipin lokal Salernitana të udhëtonte jashtë qytetit për të luajtur me Udinesen, të martën në mbrëmje, pas të paktën dy rasteve të konfirmuara me koronavirus në skuadër.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.