Sport

Ronaldo do të largohet nga Unitedi nëse nuk luan në Champions

Cristiano Ronaldo, ylli i Manchester Unitedit
Foto: AP
 

Cristiano Ronaldo edhe zyrtarisht do të largohet nga Manchester Unitedi në fund të sezonit nëse ekipi nuk i garanton yllit portugez pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve edicionin tjetër, ka raportuar të mërkurën “The Sun”. Ronaldo 36-vjeçar u rikthye në “Old Trafford” në fillim të këtij edicioni duke rritur shpresat se Manchester Unitedi do të mund ta fitojë titullin e parë të kampionit në Premier League pas largimit të Sir Alex Fergusonit. Megjithatë, Unitedi pati një kampanjë të dobët dhe aktualisht zë vendin e shtatë në Premier League me 32 pikë, pesë më pak se West Hami që është i katërti dhe ka dy ndeshje të zhvilluara. Bëhet e ditur se agjenti i Ronaldos tashmë ka biseduar me krerët e Unitedit për ta sqaruar situatën e klientit të tij. Në fakt, ai ka folur me Richard Arnoldin që muajin e ardhshëm do ta marrë detyrën e shefit ekzekutiv në klub. Mësohet se palët kanë arritur marrëveshje në parim se Ronaldo mund të largohet nga Manchester Unitedi në fund të këtij sezoni nëse ekipi nuk siguron një vend që dërgon në Champions. Portugezi, i cili muajin tjetër mbush 37 vjet, është i bindur se mund të luajë në nivelin më të lartë deri në moshën 40-vjeçare, por dëshiron që karrierën ta mbyllë si fitues.

“Cristiano Ronaldo do të largohet nga Unitedi nëse sezonin tjetër nuk luan në Ligën e Kampionëve. Kjo është marrëveshja që portugezi e ka arritur pas takimit me drejtuesit e klubit”, ka shkruar “The Sun”.