Ky edicion garash u mendua të jetë rast për Diego Simeonen që ta bëjë Atletico Madridin skuadrën më të mirë në Spanjë dhe ta mbyllë me sukses dekadën si trajner i ekipit.
Derisa Barcelona e humbi Lionel Messin dhe Real Madridi u desh ta zëvendësonte trajnerin Zinedine Zidane, Atletico e forcoi skuadrën për kampionat me rikthimin e Antoine Griezmannit dhe transferoi lojtarët e sulmit, Rodrigo de Paul de Matheus Cunha.
Dukej të ishte skenari i përkryer për ta mbrojtur titullin e kampionit të ligës spanjolle për herë të parë që prej vitit 1951 dhe madje ta fitojë edhe Ligën e Kampionëve, garë të cilën Simeone dy herë ishte shumë afër ta fitonte.
Nuk shkoi në mënyrën që dëshiroi Atletico.
Atletico e vendit të katërt do të jetë nikoqire e Valencias të shtunën, ndërsa është 16 pikë larg skuadrës së vendit të parë, Real Madridit. E ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Atletico është jashtë garës për Kupën e Mbretit dhe mezi e kaloi fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve.
Atletico Madridi i ka humbur gjashtë nga dhjetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. U eliminua nga Kupa e Mbretit në raundin e 1/8 së finales, pas disfatës 2:0 të pësuar nga Real Sociedadi të mërkurën. U mposht 2:1 nga Athletic Bilbao javën e kaluar në Superkupën e Spanjës, që u zhvillua në Arabinë Saudite.
Në muajin dhjetor, skuadra e Simeones humbi katër ndeshje rresht në ligën e Spanjës. Dështoi përballë Mallorcas, Realit, Sevillas dhe Granadas. Atletico nuk kishte pësuar më shumë se dy disfata të njëpasnjëshme që kur Simeone u bë trajner i skuadrës në dhjetor të vitit 2011.
“Edicioni i kaluar ishte i jashtëzakonshëm dhe ky aktual po del të jetë shumë i vështirë”, ka thënë Simeone, i cili e udhëhoqi Atleticon drejt dy titujve të kampionatit spanjoll, një Kupe të Mbretit, dy trofeve të Ligës së Evropës dhe dy paraqitjeve në finale të Ligës së Kampionëve.
“Ne ende kemi mundësi në ligë dhe në Ligën e Kampionëve. Nuk do të ulem dhe të pres. Këtë mund t’ua premtoj”.
Gjëja më befasuese është se Atletico e ka humbur edhe mbrojtjen e frikshme. Atletico ka qenë besnike në vizionin e Simeones për ndërtimin e mbrojtjes së çeliktë, e cila bënte që kjo skuadër të printe në statistikën për më së paku gola të pranuar. Këtë edicion tetë ekipe kanë pranuar më pak gola se Atletico, që ka pësuar 24 gola.
Atletico ka dështuar edhe në fazën ofensive. Përveç një goli që e shënoi ndaj një kundërshtari të kategorisë së tretë të futbollit spanjoll në Kupën e Mbretit, Luis Suarez nuk ka shënuar gol që prej barazimit 3:3 në Valencia, më 7 nëntor.
Griezmann ishte duke luajtur mirë derisa lëndimi në muskul bëri që të aktivizohej në vetëm një ndeshje që prej mesit të muajit dhjetor.
Megjithatë, për Simeonen e vetmja rrugë e përmirësimit të formës është rikthimi i vlerave thelbësore të ekipit.
“Ne duhet të vazhdojmë, t’i pranojmë gabimet tona dhe nga pozita e përulësisë të përmirësohemi”, ka thënë ai.
Atletico do të jetë nikoqire e Manchester Unitedit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve më 23 shkurt.
Me shumë gjasë do ta ketë përballë edhe rivalin e vjetër, Cristiano Ronaldo.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.