Berisha i bindur që Peja e fiton Kupën

Dardan Berisha është i bindur se Peja muajin e ardhshëm do ta ngrijë njërin prej tre trofeve që i synon këtë edicion të garave.
basketbollistit me përvojë, me trofeun e parë të edicionit Peja do t’i paralajmërojë skuadrat e tjera.
Kupa e Kosovës ndahet gjatë muajit shkurt dhe Berisha e sheh Pejën favorite në këtë garë.
Kapiteni i Pejës bazohet shumë në faktin se “Final 8” i Kupës së Kosovës në basketboll do të organizohet në qytetin e Pejës nga 9 deri më 13 shkurt.
KB Peja e ka fituar organizimin e këtij turneu pasi ishte ekipi i vetëm që ka aplikuar në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK).
Edicionin e shkuar Kupën e Kosovës e kishte fituar Sigal Prishtina, por Berisha beson se Peja ka ekip për të triumfuar në këtë edicion.
Peja e ka nisur mbarë vitin duke shënuar tri fitore në po aq ndeshje – dy në Superligën e Kosovës dhe një në Ligën Unike. Si në Superligë ashtu edhe në Ligën Unike, Peja renditet e dyta me një pikë më pak se Golden Eagle Ylli që prin në dy garat.
“E kemi nisur në mënyrën më të mirë sezonin pranveror. Deri më tani kemi bërë paraqitje shumë të mira dhe jam shumë i lumtur me këtë. Por besoj që kur të kompletohet e gjithë skuadra do të jemi edhe më të fuqishëm dhe më cilësorë”, tha Berisha për KOHËN.
“Kupa e Kosovës do të mbahet në Pejë dhe kjo sigurisht që na motivon edhe më shumë pasi luajmë në shtëpi. Jemi skuadra favorite për ta fituar këtë trofe, megjithatë ndeshjet në këtë garë janë gjithmonë të paparashikueshme. Secila ndeshje është sikurse një finale dhe kështu besoj do të jetë edhe këtë vit”.
Pas Kupës së Kosovës, Berisha thotë se synimi i Pejës është titulli në Superligë dhe Ligën Unike, për ta mbyllur edicionin me “tripletë”. Mirëpo, ai pranon se nuk do të jetë aspak lehtë. Berisha e vlerëson lart Golden Eagle Yllin. Ylli është kampion në fuqi i Kosovës dhe fitues i turneut të Ligës Unike.
“Kemi skuadër që do të luftojmë edhe për titull të kampionit. Besoj që jemi një ndër kandidatët kryesorë këtë edicion së bashku me Yllin për titull. Mirëpo duhet pasur parasysh që edicioni është shumë i gjatë dhe janë edhe disa skuadra të tjera të cilat kanë synimet e njëjta”, është shprehur Berisha. “Do të jetë edhe faza e plejofit dhe besoj që është rrugë e gjatë”.
Ndeshjen e radhës në Ligën Unike, pas triumfit ndaj Teutës së Durrësit në mesjavë, Peja do ta luajë pikërisht ndaj Yllit në palestrën “Karagaçi”. Ky duel luhet më 27 janar dhe është derbi i xhiros së nëntë të Ligës Unike.
Peja ka dy humbje në këtë ligë, ndërsa njërën ia ka shkaktuar pikërisht Ylli, kur e pati mposhtur me rezultatin e ngushtë 93:92 në Suharekë në xhiron e dytë.
“Edhe në Ligën Unike kemi bërë paraqitje të mira dhe kemi treguar që jemi një ekip i fuqishëm këtë vit. Kam besim se këtë edicion do të arrijmë të triumfojmë edhe në Ligën Unike, por nuk do të jetë e lehtë. Mund të them që secili trofe fitohet me vështirësi dhe ne si ekip jemi të gatshëm të luftojmë në të gjitha frontet”, ka insistuar Berisha, që është koshashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës me një mesatare prej 23.1 pikëve për ndeshje.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.