Ardian Nuhiu pret ndeshje të vështirë kundër Malishevës

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, pret ndeshje të vështirë kundër Malishevës.
Kjo ndeshje i takon javës së 21-të të Superligës dhe do të luhet të mërkurën prej orës 13:00 në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.
Pavarësisht që e vlerëson takim të vështirë, Nuhiu thotë se beson te skuadra që drejton.
“Jemi të vetëdijshëm për forcën e skuadrës kundërshtare siç është Malisheva. Ata kanë një start mjaftë të mirë. Ata janë përforcuar në afatin kalimtar me futbollistë të cilët e njohim shumë mirë kampionatin, me lojtarë me eksperiencë, me përvojë. Jemi munduar ta përgatisim skuadrën tonë. Thjeshtë, të jemi vetvetja dhe të luajmë në mënyrën sic dimë ne. Ndeshja kërkon vlerësim, kërkon qasje të plotë dhe mendoj që do të marrim vendimet e duhura për të dalë nga kjo ndeshje shumë mirë. Do të jetë ndeshje e vështirë, duke e ditur se Malisheva befasoi edhe kampione në fuqi”, tha Nuhiu në konferencën për media.
“Kishim tre ditë për të rikuperuar forcat, gjithashtu për të sanuar shqetësimet që kishim marr lojtarët nga ndeshja e fundit. Këto tre ditë jam munduar që planin, idetë apo atë se si duhet ta zhvillojmë këtë ndeshje. Jam mundur ta përcjell në mënyrën më të mirë te futbollistët. Unë kam besim se do të përformojnë në mënyrë përfekte të mërkurën”.
Nuhiu foli edhe për ish-lojtarët e Dritës, Xhevdet Shabanin e Fidan Gërbeshin, më të cilët e kishte fituar titullin e kampionit.
“Futbollistët i njohim shumë mirë. Ata janë futbollistë me vlera. Për ekipin tonë ata kanë qenë lojtarë special, e gjithashtu edhe për mua sepse unë me ta e kemi fituar titullin me Dritën. Duhet ti marrim masat. I kemi analizuar shumë mirë dhe ajo është një përparësi. Xhevdet Shabani ka cilësi, po ashtu edhe Fidani më aspektin defanziv”, u shpreh trajneri i Dritës.
Ndërkaq, mesfushori Albin Krasniqi shpreson që Drita të jetë në ditën e saj për të marrë pikë të plota. Ai lavdëroi disa futbollistë të Malishevës, në veçanti Xhevdet Shabanin.
“Malisheva ka ekip të mirë dhe ka lojtar me eksperiencë në futbollin e Kosovës, siç janë Xhevdet Shabani, Fidan Gërbeshi e Hasan Hyseni, të cilët dinë ta bëjnë diferencën në lojë. Ne shpresojë që të jemi në ditën tonë më të mirë dhe të marrim tri pikë. Xhevdetin e njeh krejt Kosova që ka cilësi të jashtëzakonshme. Ne e kemi analizuar”, deklaroi Krasniqi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.