Ata u zgjuan në orët e hershme nga zhurma e bombave që u dëgjuan në banesën e tyre në Kiev. Si shumë të tjerë, ata u larguan nga Ukraina, duke u nisur në një udhëtim të rrezikshëm drejt sigurisë. Paulo Fonseca, ish-trajneri i Shakhtar Donetskut e Romas, dhe gruaja e tij ukrainase Katerina, fillimisht u përpoqën të largoheshin nga vendi me makinë, së bashku me vogëlushin e tyre dhe prindërit e Katerinas. Pasi u përballën me trafikun e bllokuar, ata u detyruan të kalonin një natë tjetër në kryeqytet brenda një bunkeri, përpara se të duronin një udhëtim 30 orësh me makinë përmes Moldavisë në Rumani.
“Ishte vërtet shumë e vështirë, por mendoj se është shumë më e vështirë për ukrainasit që kanë mbetur në Ukrainë, ku situata po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Kjo luftë është, besoj, një nga më mizoret në historinë e të gjithë botës, sepse ushtarët që po na vrasin, ata flasin të njëjtën gjuhë dhe është e pabesueshme”, tha Katerina. “Ne lamë gjithçka në Ukrainë. Të gjitha vendet që kanë kaq shumë vlerë për ne janë ende atje, kështu që zemra ime është atje dhe është e thyer për gjithçka”.
Më shumë se tre milionë ukrainas kanë ikur në një eksod refugjatësh pas pushtimit rus të vendit, sipas Kombeve të Bashkuara. Shumë qytete në Ukrainë janë shkatërruar, tha Katerina, duke shtuar se ishte e rëndësishme të ndalohej lufta dhe të parandalohej përhapja e saj në vendet e tjera evropiane. Familja Fonseca mbërriti në atdheun e Paulos, Portugali më 28 shkurt dhe ai tani po punon me Federatën Portugeze të Futbollit si ambasador i një nisme me klubet kombëtare portugeze të futbollit që synon të ndihmojë refugjatët ukrainas të gjejnë shtëpi dhe punë. Pas karrierës së tij si lojtar, kryesisht me klubin e Lisbonës, Estrela da Amadora, 49-vjeçari Fonseca karrierën e trajnerit e nisi në vitin 2005 në Portugali. Më pas, ai shkoi në Ukrainë dhe me ekipin e Shakhtarit fitoi shtatë trofe.
“Jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj bote, që jam pjesë e futbollit, dhe ajo që njerëzit e këtij sporti po e bëjnë, është e mahnitshme. Por unë mendoj se ne mund të bëjmë më shumë”, tha Fonseca. “Unë do të doja të shihja personalitetet e mëdha të futbollit që mbrojnë paqen në Evropë. Mendoj se mund të jetë shumë e rëndësishme”.
Pas sukseseve në futbollin ukrainas, Fonseca mori drejtimin e Romës dhe tek ekipi italian qëndroi për gati dy vjet. Prejse u largua nga Roma në maj të vitit të shkuar, Fonseca ishte angazhuar në ngjarje të ndryshme në Ukrainë. Ai u kthye në Ukrainë herët për të ndihmuar gruan dhe familjen e tij të arratiseshin. Ai u bëri thirrje të gjitha klubeve që të bashkohen në solidaritet me nismën e federatës portugeze për të cilën tashmë është angazhuar. E mirënjohjen ndaj federatës portugeze, e shprehu edhe gruaja e tij, Katerina.
“Ata po i presin me krahëhapur lojtarët tanë të vegjël. Është një mbështetje shumë e madhe për fëmijët, të cilët humbën të gjithë lumturinë në jetën e tyre të përditshme”, shtoi ajo.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.